
"Eshtë hera e parë që në letërsinë shqipe Nënë Tereza paraqitet si personazh real në një roman letrar", janë fjalët e Eda Zhitit, bashkëshortes së shkrimtarit Visar Zhiti, që ditën e djeshme, në prani të shumë personaliteteve dhe dashamirësve prezantoi romanin “Këpuca e Aktorit”.
Ku shkrimtari Visar Zhiti ishte përveçse autor, një spektator i auditorit, sepse shumë të tjerë folën për të dhë për veprën e tij.
Qendra Kulturore “Nënë Tereza” pranë Kishës Zoja Pajtore në Southfield, Michingan gumëzhinte ditën e djeshme nga zëra shqiptarë, ata të apasionuarit pas letërsisë, por edhe dashamirës. Aktivitetin e kishte organizuar Dom Ndue Gjergji.
Edlira Zhiti, bashkëshortja e Visarit, mes emocionesh nga pritja e mrekullueshme foli për rolin e Nënë Terezës si personazh në këtë roman, në disa kapituj.
“Romani “Këpuca e Aktorit i ngjan një skenë që rrëfen histori, jo të Shqipërisë por të shqiptarëve, prandaj autori ka zgjedhur një shprehje të Nënë Terezes, “Jeta është lojë, luaje”, shtoi ajo. Znj. Zhiti e quajti si arritje të letërsisë shhqipe, futjen e figurës së Nënë Terezes, jo vetëm në Kishat tona dhe ne qendrat kulturore dhe të bamirësisë, por edhe ne art dhe letërsi. Ajo emfazoi se ishte hera e parë që Nënë Tereza paraqitet si personazh real në një roman letrar.
Në lidhje me Romanin “Këpuca e Aktorit” paraqiti referencën e tij z. Valentin Lumaj, i cili bëri një zbërtim letrar të veprës. Z. Lumaj ndër të tjera tha se ky roman vjen para lexuesve si një vepër shume-dimensionale, si një amalgamë vlerash autentike shqiptare, ku përzihen epoka, ngjarje, personazhe fiktive dhe reale dhe pikëpamje të ndryshme
Lumaj theksoi se romani përmbante të gjitha metodat e të shkruarit në prozë, si stili personal, përshkrues, historik, rrëfyes, informues, vlerësues dhe bindës. Lumaj theksoi se gjuha e pastër shqipe e përdorur në roman, ka të përpunuar në shkallën më të lartë elementet e saj letrarë dhe sintaksorë. Gjithashtu ai theksoi se romani ka në gjerësinë e tij vlerësime të shumta psikologjike, përsiatje dhe mendime të thella logjike të natyrës Kafkane, ndjenja dhe brenga personale që autori Zhiti i përcjell tek lexuesi nëpërmjet një personazhi fiktiv në libër.
Ai shtoi se romani “Këpuca e Aktorit” ka jetë brenda tij, ka ndjenjë, përjetim, rrënqethje, ështëkulturë dhe ja rekomandonte gjithkujt, sidomos rinisë shqiptaro-amerikane, që të njohin dhe kuptojnë realizimin e pasioneve dhe ëndërrave të rinisë nën një regjim diktatorial, kjo në kontrast me mundësitë e reja dhe të pafundme amerikane dhe të bëjnë diferencën, si motivim për të ardhmen e tyre”.
Profesori i Fizikës dhe drejtori i ACTV, Eduard Aliko bëri një shpjegim të zgjeruar të vlerave njerëzore dhe intelektuale të Shkrimtarit Visar Zhiti. Prof. Aliko theksoi se Visar Zhiti si poet dhe shkrimtar u mbrujt në kushte jashtëzakonisht të vështira, të terrorit, presionit dhe burgjeve komuniste. Edhe pse ne burg, Zhiti arriti që të ruajë në shkrim dhe në memorie pothuajsë të gjithe veprën e tij poetike të burgut, që sot vjen para shqiptarëve si një dëshmi e gjallë dhe një testament për brezat. Ai tha se Visar zhiti jo vetëm si shkrimtar dhe poet disitent, ish i burgosur për poezitë e tij, por edhe si diplomat shqiptar, që ka shërbyer në Vatikan dhe Ëashington DC, si politikan, ish-ministër i kulturës, studiues, përkthyes dhe gazetar, Visar Zhiti ishte dhe është figura më e plotë dhe përbashkuese shqiptare për të qenë President i Shqiptarëve. Ai theksoi se në kushtet e një regjimi të neokomunizmit në Shqipëri, njerëzit e mëdhenj dhe vizionarë si Visar Zhiti nuk e marrin kurrë vlerësimin që meritojnë.
Në emër të Organizatës Studentore Shqiptaro Amerikane të Universitetit Shtetëror të Michiganit, foli studentja Angela Lumaj. Ajo foli mbi kontrastin e thellë midis jetës që ka pasur fatin të jetojë në Shtetet e Bashkuara dhe realitetit sfidues me të cilin u përballën ata që jetuan në Shqipërinë komuniste. Ndër të tjera ajo tha: ”Nëpërmjet letërsisë së Zhitit, ne kapim një vështrim të qëndrueshëm dhe palëkundur të shpirtit të popullit shqiptar në ato kohë sfiduese. Vargjet e tij ndriçuan betejat me të cilat u përballën, mallin për liri që digjej në zemrat e tyre dhe shpresën e paepur që i mbajti të ecnin. Vepra e tij shërben si një kujtesë e fuqishme e forcës dhe këmbënguljes së popullit shqiptar, dhe unë jam mirënjohës për aftësinë e tij për të kapur thelbin e tyre në vargjet e tij”.
Më pas përshendeti Famullitari i Kishës Zoja Pajtore, i cili falenderoi shkrimtarin Zhiti për prezencën e tij dhe të librit të tij më të ri. Dom Ndue Gjergji u shpreh se vepra e Visarit është e ngjashme me veprat e meshtarëve të burgosur dhe të persekutuem, si ajo e dom Simon Jubanit, “Burget e Mija”, vepra e At Zef Pllumit, “Rrno vetëm për me tregue” apo ajo e At Konard Gjolajt, “Çinarët”. Dom Ndou tha se në inagurimin e Qendrës Kulturore Nënë Tereza, Visa Zhiti është shpallur anëtar i përjetshëm i kësaj Qendre dhe është gjimonë i mirëpritur në aktivitetet tona.
Dom Fred Kalaj përshëndeti më pas mysafirët dhe pjesëmarrësit. Ai tha se natyra njerëzore është krijuar në atë mënyrë që shumë njerëz nga ana e mendësive akoma jetojnë në të shkuarën, dhjetra apo qindra vite pas, por ka njerëz që vijnë si dritë dhe ndriçojnë përpara rrugën e njerëzimit, dhe Visar Zhiti më veprën dhe vizionin e tij jeton jo vetëm të sotmen por edhe të ardhmen dhe i përket së ardhmes. Ai foli për dimensionet e jashtëzakonshme të Visarit, si njeri shumë thjeshtë e i përvuejt por shumë i fuqishëm në mendim, fjalë dhe vepra letrare, dhe shtoi se Zhiti është shkrimtari më i spikatur i letërsisë së sotme shqipe.
Veprimtari Taip Beshiri, solli në kujtesë jetën dhe vuajtjet e autorit Zhiti. Ai theksoi se vuajtjet e Visarit gjatë jetës së tij shprehen edhe karakterin e veprës së tij si një shëmbëlltyrë dhe personifikim e vujtjeve të nje kombi. Gjatë fjalës së tij, nuk munguan momentet e ndjeshmërisë emocionale të z. Beshiri i cili e mbylli fjalen duke thëne se ishte i lumtur qe kishte njohur një njeri të madh si Visar Zhiti dhe që ishte pjesë e ketij aktiviteti.
I fundit e mori fjalen autori Visar Zhiti. Ai u shpreh se ishte i emocionuar por edhe i lumtur qe komuniteti i Michiganit e mirepriti librin e tij. Ai theksoi se Kepuca e Aktorit megjithese ka brenda tij personazhe reale, ngjarje te verteta apo qendrime personale, prape mbetet nje veper “fiction” dhe duhet te shihet si roman dhe jo autobiografi.
[gallery link="none" size="full" td_select_gallery_slide="slide" ids="705749,705750,705751,705752"]