Seancën e kësaj të enjte Kuvendi miratoi me 75 vota pro duke “zhveshur” ish-kryeministrin Sali Berisha nga petku i imunitetit të deputetit dhe duke i hapur kështu rrugën Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për arrestimin e liderit historik të së djathtës.
Kuvendi votoi pro autorizimin e SPAK për të vijuar më tej procedurat për ndryshimin e masës së sigurisë nga “detyrim paraqitje” për ish-kryeministirn Berisha në “arrest me burg” apo “arrest shtëpie” i cili akuzohet për “korrupsion pasiv” për aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Pas miratimit në sallën e Parlamentit, hapi i radhës i Kuvendit është të njoftojë SPAK lidhur me votimin. Më pas prokurorët e Prokurorisë pritet që ti drejtohen Gjykatës e cila është dhe organi i cili do të vendosë për “fatin” e ish-kryeministrit Berisha.
Ndonëse për shkak të moshës ndaj Berishës mund të vendoset për “arrest shtëpie”, prokurori i çështjes Arben Kraja më herët tha se Gjykatës do t’i drejtohen për të dyja masat , “arrest shtëpie” apo “arrest me burg”. Më pas do të jetë në dorën GJKKO-së që të vendosë për ish-kryeministrin.
“Janë të ndryshme nga pikëpamja e rëndesës. Ne kemi paraqitur kërkesë për ashpërsim, këto janë dy masat që mund të përdoren, kemi kërkuar leje për të dyja. Në varësi të akteve të dosjes dhe vendimarrjen tonë si prokuror do i kërkojmë gjykatës njërën prej masave, se çfarë do bëjë gjykata është tjetër punë”, tha Kraja më herët.
Kujtojmë se seanca e ditës së sotme, 21 dhjetor 2023, ishte një seancë jo e zakontë dhe nuk zgjati jo më shumë se 10 minuta. Kjo pasi deputetët e opozitës, mbështetësit e Berishës dhe Bardhit, përsëritën të njëjtin skenar si dhe në seancat e kaluara, me vendosjen e karrigeve pirg përpara foltores dhe ndezjen e tymyesve.
Mirëpo, kaosi që u krijua nuk arriti të pengonte votimin ku mazhoranca mes tymyeseve ngritën kartonat jeshilë dhe i hapën rrugën SPAK të cilët kërkuan ashpërsim e masës së sigurisë për Sali Berishën i cili refuzoi disa herë të zbatonte vendimin e GJKKO-së për tu paraqitur para oficeres gjyqësore.
LEXO EDHE: I hiqet imuniteti Sali Berishës, Kuvendi i hap rrugën SPAK për ta arrestuar
Prokuroria e Posaçme i dërgoi një shkresë zyrtare Kuvendit të Shqipërisë dhe i kërkoi që të lejojë arrestimin e Sali Berishës, shkruan newsbomb.al. Vendimi erdhi vetëm një muaj pas seancës paraprake për tjetërsimin e pronave të ish-klubit sportiv “Partizani”.
Aktualisht, ndaj ish-kryeministri është dhënë masa e sigurisë “Detyrim paraqitje”, por Sali Berisha ka refuzuar të shkojë qoftë dhe një herë të vetme para togave të zeza, duke dërguar avokatët e tij ta përfaqësojnë.
Që nga dita kur u prangos dhëndri i tij dhe ndaj Berishës u vendos “Detyrim paraqitje” dhe “Ndalim i daljes jashtë vendit”, veprim që parashikon bllokimin e pasaportës, lideri historik i Partisë Demokratike ka ndërmarrë një fushatë sulmesh ndaj SPAK dhe gjyqtares Irena Gjoka.
Aktualisht në masë sigurie “Arrest në shtëpi” është Jamarbër Malltezi, pasi akuzohet se ka vepruar me privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani” gjatë kohës që në pushtet ishte vjehrri i tij, Sali Berisha. SPAK e akuzon këtë të fundit se gjatë kohës që ishte në kryeministër, ka vënë në shërbim të dhëndrit administratën, që të lejonin privatizimin e mijëra m2 tokë në Tiranë.
Në shkresën që kryeprokurori Altin Dumani i dërgoi Lindita Nikollës, shkruhej se deputeti Sali Berisha nuk i është bindur vendimeve të Gjykatës së Posaçme, për t’u paraqitur dhe njohur me masën paraprake të sigurisë që është dhënë ndaj tij.
“Mbështetur në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 231, 260, 288, 289 të K.Pr.Penale, si dhe në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nenet 13 dhe 118, bashkëlidhur ju përcjellim kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali BERISHA, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit personal shtrëngues nga ajo e “Detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, në atë të arrestit në burg/ arrest në shtëpi, parashikuar nga nenet 238/237 të K.Pr.Penale, në kuadrin e procedimit penal nr. 287 të vitit 2020, të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë”, thuhej në shkresën e SPAK për Kuvendin.
Ndërkohë, pas kësaj kërkese u mblodh dhe Këshilli i Mandateve të cilët më 18 dhjetor me 6 vota pro i hapën rrugën kërkesës së SPAK. Deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, ishte i vetmi përfaqësues nga opozita i cili bashkoi votën e tij me pjesën tjetër të anëtarëve socialistë për t’i hapur rrugën lëshimit të autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/ heqjen e lirisë së Berishës.
Sakaq, mbrëmjen e djeshme u depozituan në Kuvend edhe dy raportet e anëtarëve të Këshillit të Mandateve për kërkesën e SPAK për t’i hapur rrugë për ndryshimin e masës së sigurisë për Berishës. Njëri raport ishte nga mazhoranca, ndërsa raporti tjetër i deputetit demokrat Enkelejd Alibeaj. Të dy raportet e përpiluara në Këshillin e Mandateve kërkonin dhënien e autorizimit për ti hapur rrugë kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Sali Berishës.