Hapësire reklamuese

Aktualitet

Henrik Hoxhaj i qëndron dëshmisë së vrasjes: Nuredin Dumani më premtoi 60 mijë euro për “kokën” e Dorian Shkozës

Shkruar nga Newsbomb
Henrik Hoxhaj i qëndron dëshmisë së vrasjes: Nuredin Dumani

Henrik Hoxhaj, dikur mik i ngushtë i Nuredin Dumanit, ka dhënë sot dëshminë para GJKKO-së për katër vrasjet të kryera në Durrës, atentatin ndaj vëllezërve Haxhia si dhe për vrasjen e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdisë. Para trupës gjykuese Hoxhaj, i penduar i drejtësisë ka konfirmuar dëshminë që ka dhënë më parë për vrasjen e Anxhelo Avdisë dhe Dorian Shkozës.

Ai tha se Dumani i kishte premtuar 60 mijë euro për të vrarë Dorian Shkozën, ndërsa shtoi se kishte marrë vetëm 35 mijë pasi pjesën tjetër e kishte marrë Elio Bitri.

“Me Nuredin Dumanin jam njohur në ditëlindjen e Festim Çolit, rreth 6 muaj para vrasjes së Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdiajt. Aty shkëmbyem numrat e telefonit, dhe kemi folur e takuar. Dumani premtoi 60 mijë euro, nga të cilat më ka dhënë 35 mijë, sepse pjesën tjetër i mori Elio Bitri. Ky i fundit ka qenë në timon, unë te sedilja e pasme e pasagjerit. Kam patur 2 pistoleta 9 mm, ndërsa Bitri një pistoletë me mulli.

Objektivi sipas Dumanit ishte Dorian Shkoza, madje ky i ka dalë para Avdylajt për ta mbrojtur kur kemi qëlluar. Me Bitrin s’kam patur komunikim, kur vajta te shtëpia e Nuredinit, e kam gjatur aty dhe jemi nisur drejt vendit të ngjarjes. Dumani s’ishte me ne por vinte rrotull. Kam qëlluar me të dyja armët, edhe Bitri qëlloi njëherë me armën e tij, por nuk e di nëse ka kapur plumbi ndonjërin nga viktimat. Para ngjarjes madje, në shtëpinë e Dumanit, Elio qëlloi, na tha se ishte shkrepje e pavullnetshme. Elio kishte një javë që qëndronte në shtëpinë e Dumanit para atentatit. Me Dumanin, pasi më dha pagesën, jam takuar dhe për planin e vrasjes së Besmir Haxhias”, ka thënë Henrik Hoxhaj

Hoxhaj u arrestua në Fier bashkë me Dumanin, teksa bënte roje poshtë pallatit ku ai qëndronte i plagosur.

Nuredin Dumani akuzohet për një seri vrasjesh, disa prej të cilave dyshohet se e kanë zanafillën te grabitja e miliona parave në barkun e avionit në Rinas. Krahas akuzave për vrasjen e vëllezërve Viktor e Besmir Haxhia si dhe miqve të tyre Anxhelo Avdia e Dorian Shkoza, SPAK po e heton Nuredin Dumanin edhe për 5 vrasje të tjera.

Pasditen e 29 marsit, Nuredin Dumani kishte shkuar në Elbasan për të vrarë armikun e tij Talo Çela, por ky i fundit ishte në dijeni dhe 39-vjeçari nga Dibra ra në kurth. Makina me të cilën ai udhëtonte u sulmua me breshëri automatiku nga një makinë tjetër.

Për pasojë, 39 vjeçari mbeti i plagosur. Menjëherë u nis drejt Fierit dhe aty u lokalizua në një bllok pallatesh në lagjen “Apolonia”.

Një telefonatë për ndihmë në spitalin e Fierit, për një person të plagosur me armë, bëri që Forcat Speciale të shkonin në qytet me shpejtësi dhe të rrethonin lagjen. Drejtues të Policisë së Elbasanit u panë të pranishëm vetë në Fier dhe pas disa momentesh nxorën me pranga në duar Nuredin Dumanin si dhe bënë të mundur dhe arrestimin e Henrik Hoxhajt.

 

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll