Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka ndarë një lajm të mirë për Shqipërinë dhe procesin e anëtarësimin në BE.
Hasani njofton se Shqipëria kalon në fazën e dialogut të pasmonitorimit nga Komiteti Monitorues i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
“Lajm i mirë nga Asambleja Parlamentare e këshillit të Evropës! Pas 29 vitesh të gjata nën monitorim të plotë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, që nga anëtarësimi i Shqipërisë në këtë Organizatë në vitin 1995, Komiteti Monitorues i CoE-PACE ka vendosur të mbështesë unanimisht kalimin e Shqipërisë në fazën e dialogut të postmonitorimit”, - ka thënë Ministri Hasani.
Hasani theksoi se ky vendim është një tregues i qartë i progresit të konsiderueshëm të Shqipërisë në forcimin e shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut dhe demokracisë.
“Ne rikonfirmojmë përkushtimin tonë për të përmirësuar më tej standardet tona demokratike, ndërsa përparojmë në mënyrë të qëndrueshme në rrugën evropiane që qytetarët shqiptarë meritojnë”, - u shpreh Hasani.
Komiteti i Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKiE), u ngrit në vitin 1997, si një nevojë për të krijuar një mekanizëm të rregullt, i cili do të monitoronte sistematikisht situatën e respektimit të të drejtave të njeriut, shtetit ligjor dhe demokracisë në vendet anëtare të KiE-së.