Hapësire reklamuese

Rajoni

Haradinaj mbledh nesër kabinetin pasi dha dorëheqjen, Zyra Ligjore e Qeverisë e quan të ligjshme

Shkruar nga Newsbomb
Qeveria e Kosoves

Ditën e nesërme, kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, do të ulet sërish në karrigen e kryeministrit të vendit, vetëm një javë pasi dha dorëheqjen e parevokueshme nga ky posti.

Haradinaj ka thirrur ditën e nesërme mbledhjen e Qeverisë së tij, duke parashtruar edhe 12 pika të rendit të ditës.

Në pikat e rendit të ditës përfshihen edhe emërimi i anëtarëve të Bordit të Autoritetit Civil, bartja e një prone nga KEK-u në Komunën e Obiliqit, si dhe vendimi për shpronësime të tokave për pikën kufitare të re mes Kosovës e Maqedonisë së Veriut.

Gjithashtu edhe një opinion prej trefaqësh është përgatitur nga Zyra Ligjore e Zyrës së kryeministrit, para kësaj mbledhjeje.

Aty, fillimisht konstatohet se kjo është hera e parë që ndodh një dorëheqje e tillë, që prej hyrjes në fuqi të Kushtetutës, në vitin 2008 kur Kosova u shpall shtet i pavarur.

Zyra Ligjore i referohet Kornizës kushtetuese që parashikon se me gjithë dorëheqjen, kryeministri e luan rolin e kryeministrit të përkohshëm deri në zgjedhjen e kryeministrit të ri.

Për ta sqaruar situatën merren krahasimet me kushtetutat e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Kroacisë.

Zyra Ligjore e Kryeministrit konsideron se supozimi i mosekzistimit të qeverisë bie në kundërshtim logjik me nenin 4 të Kushtetutës, që flet për ekzistimin e institucioneve të rendit kushtetues.

Sipas saj Qeveria duhet të bazohet në kompetencat e saj të dhëna me Kushtetutë e legjislacionin në qeveri dhe se Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar për interpretim të Kushtetutës.

Zyra ligjore i ka kërkuar kryeministrit Haradinaj të ketë parasysh se opinionet juridike nuk kanë fuqi obligative juridike, pasi Kushtetutën e interpreton vetëm Gjykata Kushtetuese.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu