Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian nuk ia kanë dalë të arrijnë në një marrëveshje për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Lajmin e ka bërë me dije ministrja finlandeze Tytti Tuppurainen, e cila tha në një konferencë për media pas takimit se gjatë mbledhjes ka pasur disa vende hezituese dhe një vend kundër.
“Ne kemi qenë për hapjen e negociatave që në fillim. Por fatkeqësisht kishte disa vende që ishin hezitante, ndërsa një vend ishte kundër. U kërkua ndarja që t’i jepte vlerësimin çdo vendi sipas meritës. Por edhe kjo nuk u arrit. Por komisioneri Hahn është optimist për një vendim pozitiv. Por vendimi kërkon unanimitet. Bëmë gjithçka që mundëm por nuk arritëm një marrëveshjes sot”, u shpreh ministrja finlandeze për Europën Tuppurainen.
Komisioneri Johannes Hahn, nuk e ka humbur optimizmin edhe në këtë momen, duke thënë se beson në një vendim pozitiv nga liderat e BE-së. "Mos u dorëzoni," përfundoi Hahn.
"Shpresoj të bindim disa vende të cilat nuk ranë dakort. Nuk kam çfarë të shtoj kjo është arsyeja pse kam ende besim dhe shpresoj që liderat e BE-së do ta shohin në një pamje më të gjerë. Është e rëndësishme të theksojmë atë çka tha ministrja, 25 vende janë në favor dhe kjo ka qenë mbështetja edhe në korrik të vitit të kaluar. Shpresoj në një vendim pozitv nga KE. Megjithatë vendet nuk duhet të dorëzohen, nuk ishte një rrugë e shtruar. Tani është në dorë të liderave të BE-së", u shpreh Hahn.