Deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferraj ka folur në lidhje me hapjen e bazës ajrore të NATO ditën e sotme në Kuçovë.
Xhaferraj hapjen e bazës së NATO në Kuçovë e konsideron si një moment shumë të rëndësishëm për vendin. Deputeti ndër të tjera shprehu ankesë se kolegët e opozitës ishin të ftuar, por që nuk kishte karrige të siguruara për ta.
“Do të thoja që është moment i rëndësishëm. Në harkun e 15 viteve, që kur Shqipëria është bërë pjesë e NATO-s, ishte momenti më i rëndësishëm që aleanca vendos të investohet, duke instaluar pajisje ushtarake në Shqipëri. Është e konfirmuar edhe nga Blinken, duke theksuar që muajin e ardhshëm kemi këtë zhvillim në Shqipëri.
Duke mos dashur t’i heqim vlerën këtij momenti të rëndësishëm, ajo që pamë sot është që Shqipëria ka ngelur me mendësinë e Traktatit të Varshavës. Kolegëve të mi opozitar nuk i kishin planifikuar vende. Do kisha dëshirë të ishte gabim i protokollit, por nuk mund të jetë, është mendësi. Prandaj thash që qeveria ka ngelur në mendësi. Fatkeqësia më e madhe është që nuk mund të kesh të drejtë të përjashtosh gjysmën e Shqipërisë, ajo pjesë që ka kontribuuar për të qenë anëtarë në NATO.
Duke parë që opozita nuk merret për bazë fare, protokolli e sjell ftesën por nuk të organizon vende. U theksua rëndësia gjeostrategjike, shumë e rëndësishme që kjo u bë. Shqipëria ka përfitime”, tha Xhaferraj ndër të tjera në “Top Story” në “Rop Channel”.