Kryeministri Edi Rama ndodhet në Laç, ku ka hapur dyert sot spitali i ri i rindërtuar pas tërmetit.
Gjatë fjalës së tij Rama u shpeh se do të ketë sërish rritje rrogash për mjekët dhe infermierët. Ndër të tjera kreu i qeverisë nuk i ka kursyer as ironinë për opozitën.
“Rrogat do vazhdojmë t’i rrisim përsëri për mjekët dhe infermierët, për mësuesit dhe mësueset.
Ne sot në sistemin spitalor kemi shpërndarje e prani më të plotë e të racionalizuar sesa kishim vite më parë kur trashëguam një gropë të madhe e të pashpjegueshme të mungesës së specialistëve prej mbylljes së specializimeve. Një vendim i marrë nga qeveritë e mëparshme që nuk ia gjejmë dot shpjegimin.
Sot jemi në kushtet e harmonizimit të mjekëve të vjetër dhe atyre të rinjve që duke i ofruar kushte të tilla dhe duke i vënë në dispozicion aparatura, iu ushqejmë dëshirën që të vijojnë të punojnë në shërbim të njerëzve. Ndaj dua ta nis duke ju uruar mjekëve më me përvojë që këto vite të mbetura të shërbimit ti kalojnë sa më mirë, po ashtu dhe mjekëve të rinj e t’ia dalin t’i ofrojnë këtyre komuniteteve një shërbim cilësor. Për ti bërë njerëzit të ndihen mirë”, tha Rama ndër të tjera.