Hapësire reklamuese

Politikë

Nis asfaltimi në Elbasan-Qafë Thanë, Balluku: Gati për qarkullimin e mjeteve në Mars

Shkruar nga Newsbomb
Nis asfaltimi në Elbasan-Qafë Thanë, Balluku: Gati për

Nis asfaltimi në lotin 1 të aksit rrugor Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII. Punimet për ndërtimit e këtij aksi avancuan me ritme të shpejta dhe brenda pak javësh ky lot me gjatësi prej afro 5 kilometrash do të jetë i hapur për qarkullimin e automjeteve duke ndikuar kështu në lehtësimin e lëvizjes.

Krahas ndërtimit të rrugës ka përfunduar edhe mbrojtja lumore, pasi ky lot shtrihet përgjatë lumit të Shkumbinit. Ky segment rrugor është projektuar me parametrat teknik të Kategorisë B, ndërsa janë ndërtuar edhe pikat e aksesit të rrugës për banorët e zonës që shtrihen përgjatë saj.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi ndoqën nga afër ecurinë e punimeve.

Drejtori Berberi tha se aktualisht po punohet në 4 lotet e para të aksit Elbasan-Qafë Thanë ku po avancohet me ritme të shpejta. “Kemi katër segmente të hapura sot. Tek loti i parë filluam asfaltin, ndërkohë tek lotet e tjera gradualisht punojmë me shtresën mbushëse, me veprat e artit, me gërmimet dhe me krijimin e pilotave tek ura e madhe mbi lumin Shkumbin që na lidhë me zonën e Murrashit, ku do të ketë një devijim të madh me një tunel për të dalë matanë zonës së Murrashit”, tha Berberi.

Është një punë që do përpjekje, e cilësoi Ministrja Balluku, pasi referuar kontratës punimet për lotin 1 duhet të përfundojnë në fund të muajit mars të këtij viti. Balluku tha se për 6 javë do të kemi komplet lotin e parë të autostradës të Korridorit të VIII, Elbasan-Qafë Thanë, të përfunduar.  “Kur të vijë sezoni veror kjo pjesë e vështirë e kalimit në zonën e Labinot Fushë do të jetë komplet e zgjidhur, dhe ne do të jemi të gatshëm për të vazhduar me të gjithë segmentet e tjera”, u shpreh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Sfidë mbetet bypass-i i Elbasanit, ku menjëherë pas detajimit të projektit do të vijohet me procedurat e financimit. Ndërtimi i këtij bypass-i do të bëjë të mundur çlirimin e trafikut, pasi do të devijojë lëvizjen e automjeteve duke shmangur hyrjen përmes qytetit të Elbasanit.

“Sfida jonë më e madhe do të mbetet bypass-i i Elbasanit pasi kjo autostradë do të zgjidhë gjithë trafikun, por përsa kohë krijon hinkën dhe hyrjen direkt në qytetin e Elbasanit nuk do jetë një zgjidhje e plotë. Kështu që, direkt me përfundimin dhe detajimin e projektit, ne do të jemi të gatshëm që të fillojmë më pas dhe të hedhim hapa përsa i përket buxhetimit edhe garës për bypass-in e Elbasanit, duke pasur parasysh dhe diçka shumë të rëndësishme që në zonën ku do të ndërtohet bypassi i Elbasanit ne kemi nisur punën për projektin e madh të pistës së Formula 1”, theksoi Balluku.

Aksi rrugor Elbasan-Qafë Thanë është pjesë e Korridorit VIII. Ndërtimi i këtij aksi do të lehtësoj qarkullimin e automjeteve duke shkurtuar kohën e udhëtimit si dhe duke rritur njëkohësisht parametrat e sigurisë rrugore.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese