Mes zyrtarëve që po dëshmojnë në gjykatën e Elbasanit mbi ngjarjen që ndodhi në ambjentet e burgut pak ditë më parë me një viktimë dhe një të plagosur është dhe Indrit Dubali, punonjës i burgut të Peqinit në sektorin e ajrimit.
I pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen ai ka deklaruar se është kërcënuar me armë nga i dënuari Sokol Mjacaj që të hapte derën kryesore të ajrit nga më pas i dënuari hyri në dhomën e takimeve.
“Hap derën kryesore të ajrimit, se përndryshe do të vras”, - ky kërcënim e ka detyruar punonjësin e ajrimit të bëjë atë që Mjacaj i ka kërkuar.
Ky moment sipas Dubalit ishte disa minuta pasi i dënuari me burg përjetë kishte vrarë të dënuarin tjetër Arben Lleshi.
Dëshmia e Indrit Dubali:
“Unë në momentin e ngjarjes isha jashtë në ajrosje dhe po prisja te futeshin te burgosurit ne sektorin nr 1. Kaluan disa nga te burgosurit dhe u drejtuan për te dera për tu futur brenda. Ne oren 13:50 dëgjova një zhurmë që erdhi nga kolona 1+2 në katin e parë të burgut. U hutova për momentin dhe afrova për të parë se çfarë ndodhi.
"Në ato momente pashë që u kthye mbrapsht i burgosuri Sokol Mjacaj me një armë në dorë dhe ma drejtoi drejt meje për të më gjuajtur. Pasi më drejtoi armen më tha: “Hap derën kryesore të ajrimit, se përndryshe do të vras”. Nën kërcënimin e armës u detyrova hapa derën , pasi u tremba dhe u hutova.
Ne momentin që hapa derën ai vrapoi rreth vendit ku bëhen takimet dhe kuzhina, nuk dinte ku të shkonte, kërkonte një mënyrë për t’u arratisur. Vrapova mbas tij me 2 të burgosur të tjerë për ta ndaluar, konkretisht me shtetasit Indrit Shaqa i cili ishte i plagosur gjatë ndjekjes dhe Tomorr Caushi.
Nuk dëgjoi thirrjeve dhe u fut direkt ne korridorin e takimeve dhe tërhoqi derën nga brenda por nuk e mbyllte dot. Brenda ishin punonjëset e takimeve dhe tërhoqa derën dhe nxora punonjësen Burbuqe Manahasa nga dhoma.
Dolën punonjësit që ishin brenda te cilët ishin kërcënuar që mos lini të futet njeri brenda. Ngeli vetëm shtetasi Sokol Mjaca në korridor dhe e mbylli plotësisht dhomën."
Në dëshminë e tij Indrit Dubali, tha se Mjacaj nuk pranonte asnjë takim kur u vetëizolua në dhomën ku bëheshin takimet familjare, por kërkonte takim vetëm me Prokurorin e Përgjithshëm.
“Kemi bërë thirrje disa herë për t’u dorëzuar nga Drejtori i Burgut dhe nuk pranonte të dorëzohej. Me pas kam ikur ngaqë u bënë shume veta dhe lëviza nga ai vend”.”
Ditën e sotme në gjykatë ka dëshmuar edhe vetë Mjacaj, si dhe 11 zyrtarët e tjerë të arrestuar.
Ndër ta ishte dhe drejtori i burgut Kamber Hoxha i cili tha se Sokoli i vendosi pistoletën në qafë punonjësit të policisë dhe askush nuk mund të vepronte më.
Lexo edhe: Dëshmia e drejtorit të burgut të Peqinit: Mjacaj i vuri pistoletën në qafë policit
Gjithashtu edhe i burgosuri që mbeti i plagosur, shok i dhomës së Arben LLeshajt ka dhënë dëshmi të fortë, ku shtohen më tepër dyshimet se vrasja ishte e planifikuar nga jashtë, për hakmarrje.
Lexo edhe: 200 mijë euro për kokën e tij, letra kërcënuese që mori Arben Lleshi para vrasjes