Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Bota

Hamtramck, qyteti i parë në SHBA me shumicë myslimane

Shkruar nga Newsbomb

Hamtramck është qyteti i parë i vogël i SHBA, në këshillin bashkiak të të cilit ka më shumë myslimanë se të krishterë. Kjo tërheq vëmendjen në të gjithë vendin, shpesh dëgjon nëntone raciste, shkruan DW.

Të gjitha gratë që vijnë nëpër borë në "Family Donat Shop" e kanë fytyrën të mbuluar. Direkt nga Kanadaja fryn një erë e akullt mbi Liqenet e Mëdha. Minus 20 grad Celsius janë normalë në këtë stinë. Monique Bronz, pronare e një stacioni për larje automjetesh në Hamtramck e ka lënë të takohet këtu me një shoqe. Në "Family Donut Shop" gjen gurabije tipike amerikane me brumë me maja, në të gjitha ngjyrat. Por krahas Donuts gjen edhe byrek, me djathë ose me mish. Ka çaj dhe kafe. Alkool këtu nuk shitet. Dyqani është pronë e dy vëllezërve myslimanë.

Bashkë me Monique Bronz në dyqan vjen edhe një grua me një shami të kuqe në kokë. Ajo zhduket pas banakut. Shaminë ajo nuk e mban prej të ftohtit, por për hir të besimit. Ajo pranon të flasë me ne, vetëm nëse më vonë nuk i përmendet emri. "Kam thjesht frikë nga ndonjë valë sharjesh në internet. Dikur mbase vijnë edhe njerëz nga jashtë, për të na sulmuar ne myslimanëve." Frikë nga njerëzit këtu në qytet ajo nuk ka. "Të gjithë ne këtu jetojmë mirë me njëri-tjetrin." ." Hamtramck është një vend i vogël me denduri të lartë popullate në Juglindje të Michiganit. Rreth 22.000 vetë jetojnë në 1,6 kilometra katrorë në kufi me Detroit-in. Është qyteti i parë në SHBA, në të cilin myslimanët kanë shumicën në parlament.

Skenare të tmerrshme islamofobe

Jashtë Hamtramck-ut ka shumë njerëz që nuk u pëlqen kjo. "Myslimanët po marrin sundimin në Amerikë", paralajmëron kanali Fox News. "Ata do të sjellin në fuqi Sheriatin dhe do t'i detyrojnë të gjitha gratë të mbajnë shami koke", shkruajnë blogera antimyslimanë. Të tjerë shkruajnë: "Do ta shikoni çfarë ju pret. Së shpejti kishat do t'i shihni të përfshira nga flakët". Mediet konservatore dhe forumet antiislame në internet vihen në garë me përshkrime skenaresh tmerri.

"Me ne këtu kjo s'ka të bëjë," thotë Bronz. Myslimania e re pas banakut miraton me kokë. Natyrisht që ishte shok, thotë pronarja e stacionit të larjes së automjeteve, kur dëgjoi për herë të parë thirrjen e muezinit që nga shtëpia. Që prej vitit 2004, Qendra Islamike në Hamtramck lejohet që të bëjë thirrje për falje përmes altoparlantëve. "Po njeriu mësohet", thotë Monique Bronz. Në fund të fundit nuk është faji i myslimanëve që kishat katolike janë bosh dhe po mbyllen. "Ata shkojnë në shërbesat fetare, japin para për xhamitë dhe angazhohen për komunitetin e tyre. Për shuarjen e kulturës sonë të krishterë nuk e ka fajin askush, përveç nesh", thotë 33 vjeçarja.

Shumë banorë më të vjetër kanë vështirësi të mëdha që t'i pranojnë këto ndryshime. Në një dyqan mishi me specialitete polake dëgjon fjali si "ata janë të gjithë dembelë". Edhe shumë pronarë të dyqaneve të pijeve nuk i duan myslimanët, kanë frikë për licensat e tyre, sepse po ndërtohen gjithmonë e më shumë xhami. Një ligj i shtetit federal Michigan përcakton që në afërsi të vendeve të kultit nuk lejohet të shitet alkool. Kjo vlen edhe për rrethinat e kishave katolike. Vetëm se kisha nuk po hapen të reja, por po mbyllen.

Ndryshimi i përbërjes së popullatës

Në vitin 1970, ende 90 përqind e popullatës së Hamtramckut ishin migrantë polakë. Kurse tani, 42 përqind e popullatës së Hamtramckut janë myslimanë. Shumica e tyre vijnë nga shtetet arabe, shumë nga Bangladeshi, disa nga Jemeni, edhe nga Bosnja. Kuota e papunësisë është një ndër më të lartat në SHBA. Banesat në përputhje me këtë janë me çmime të ulëta. "Banesat e lira janë një parakusht i rëndësishëm për njerëz që duan të nisin një jetë të re me familjet e tyre", thotë Mohammed Hassan. Ai ka lindur në Bangladesh dhe ka ardhur në 1994 në SHBA, në vitin 2000 në Hamtramck. Prej gjashtë vitesh ai është anëtar i parlamentit të qytetit. Në vitin 2017, në zgjedhjet e ardhshme, ai synon të bëhet kryetari i parë mysliman i bashkisë i një qyteti amerikan."Kam shanse shumë të mira", për këtë këshilltari mysliman i bashkisë është i sigurt. Matematikani 38 vjeçar thotë më tej "Ne i lindim fëmijët, prandaj do të kemi së shpejti edhe shumicën".

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese