Hapësire reklamuese

Politikë

“Hakmarrja është një pjatë që shërbehet e ftohtë”, votat e Nard Ndokës i kushtuan Partisë Demokratike mandatin e 6-të në Shkodër

Shkruar nga Newsbomb

Partia Socialdemokrate ishte surpriza e madhe e këtyre zgjedhjeve, pasi arriti të merrte 3 deputetë, 2 prej të cilëve në qarkun e Shkodrës. Pikërisht në këtë qark PSD la pas edhe LSI-në, duke arritur të mbledhë 16425 vota.

Shkodra njihet si një bastion i Partisë Demokratike dhe rezultati i këtyre zgjedhjeve ishte zhgënjyes për këtë parti, pasi arriti të siguronte vetëm 5 mandate, ndërsa synimi ishte 7.

Lulzim Basha vendosi jashtë listës së sigurt kryetarin e Partisë Demokristiane Nard Ndoka, një politikan me mbështetje të madhe në këtë qark. Pakënaqësia pas publikimit të listave ishte e madhe nga ana e Ndokës, i cili nuk ngurroi ta shprehte dhe publikisht se u ndje i “tradhëtuar” nga kryedemokrati Basha.

Kur gjithkush mendonte se Ndoka do të ishte një nga ata kandidatë që do të thyente listën për shkak të përkrahjes së madhe që ka në Shkodër, ndodhi e kundërta. Kryetari i Demokristianëve në 411 qendra votimi ka marrë vetëm 228 vota, që do të thotë se mbështetësit e tij “e kanë lënë në baltë”.

Por numri i ulët i votave mund të ketë edhe një shpjegim tjetër. “Hakmarrja është një pjatë që shërbehet e ftohtë”, thotë një shprehje e njohur, dhe duket se Nard Ndoka mund t’ia ketë shërbyer këtë “pjatë” Lulzim Bashës. Kryedemokristiani mund të ketë bindur votuesit e tij që të mos e votonin as atë dhe as Partinë Demokratike. Me një përllogaritje të thjeshtë, nëse Nard Ndoka do të kishte marrë votat e mbështetësve të tij, sot PD do të kishte 6 mandate në Shkodër dhe PSD 1.

Nuk dihet nëse Nard Ndoka është “tradhëtuar” nga mbështetësit e tij apo është “hakmarrë” ndaj Lulzim Bashës, por është e qartë se votat e demokristianëve i kushtuan mandatin e 6-të Partisë Demokratike në Shkodër.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll