Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka folur në një deklaratë për media, ku nuk kanë munguar dhe akuat e shumta ndaj kryeministrit Edi Rama.
Meta e ka cilësuar kryeministrin Edi Rama si një hajdutokrat shpirtzi, teksa tha se në 10 vite qeverisje ka bërë që 2/3 e shqiptarëve të jetojnë në kufirin e varfërisë.
“Jemi sot këtu për të theksuar edhe njëherë tjetër pasojat katastrofike të korrupsionit dhe të vjedhjes jashtë çdo imagjinate, të qeverisë, të hajdutokratit Rama, që e ndjen shumica e familjeve shqiptare sot për shkak të polarizimit të tmerrshëm që ai ka krijuar përgjatë 10 viteve të qeverisjes së tij. Mbi 67% e popullsisë në këtë vend jeton në më pak ose në kufirin e varfërisë, pra me 5.5 dollarë në ditë.
76% e punonjësve jetojnë gjithashtu duke llogaritur mbi ta dhe fëmijët, në kufirin e varfërisë. Që nga viti 2017 ky shpirtzi nuk ka indeksuar pagat që e ka pasur detyrim ligjor dhe kushtetues.
Për këtë ne do ndërmarrim iniciativën në fillim në sesionit të ri për të garantuar indeksimin e menjëhershëm të tyre dhe nëse nuk do të miratohet do ta çojmë në Gjykatë Kushtetuese”, tha Meta.