Babai i Naim Murselit, Shaban Murseli gjatë një interviste për mediat kosovare ka bërë me dije se shtëpia e tij ndodhet nën mbikqyrjen e Policisë.
Ai thotë se disa pjesëtarë të familjes Ademaj, e kanë kërcënuar me jetë për marrjen e gjakut të Liridonës.
“Na kanë ardhë sonte dy persona dhe na kanë thënë qe “na kërkojmë gjak”. Thonë se dojnë përmes Kanunit me e zgjidhë këtë çështje. Tek të tri familjet, dhe jo vetëm tek unë. Unë nuk muj me i thanë dikujt “mos më vraj”. Kur të don le të më vrajnë, unë s’kam çka me ba.
S’kam zgjidhje. Policia m’kanë pas thanë që çdo lëvizje, çdo mesazh, me na lajmëru. I thirra e iu thash që jam i kërcenum me jetë. Iu thash që i kam dy fëmijë të mitur në shtëpi.
Tash i kam dy patrolla të policisë që janë tu e rujtë shpinë. Ishte edhe një hetues civil. Unë e kam për nipat, se mu të më vrasin kur të dojnë”, mësohet të ketë thënë Murseli për Indeksonline.
Mirëpo lidhur me këtë deklaratë ka reaguar menjëherë edhe vëllai i Loridonës, Leonardi i cili e ka mohuar kategortisht këtë gje.
“E kemi përmend se kemi me folë që mos me na dalë ma përpara. Gjakova është e vogël dhe mundemi me u përpjekë në ta. Për këtë arsye kanë çu njerëz, që mos me u përpjekë në ta. Vetëm që ata mos me na dalë përpara. Nëse jemi gjaknxehtë, vjen edhe deri te më e keqja. Ne besojmë në drejtësi, s’kam çka them unë për Kanun. Sikur deri tash që ua kemi lanë autoriteteve, edhe tash atyre ua lajmë”, ka thënë Leonardi.
Liridona Ademaj, nënë e dy fëmijëve, u vra barbarisht mbrëmjen e 29 Nëntorit në Prishtinë. Ajo ishte duke udhëtuar me bashkëshortin dhe dy fëmijët me makinën e tyre, kur persona të maskuar i kanë grabitur dhe gjatë këtij akti, kanë vrarë Liridonën.
Tre ditë më parë, Policia e Kosovës njoftoi zbardhjen e ngjarjes, duke arrestuar porositësin e vrasjes, vrasësin dhe një anëtar të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës, Granit Plava, personi i akuzuar për vrasjen dhe Kushtrim Kokalla, anëtar i FSK-së janë tre të arrestuarit. Bashkëshorti i Liridonës dhe bashkëfshatari i tij Granit Plava, kanë pranuar se janë ata porositësi dhe ekzekutor.
Madje, Granit Plava ka deklaruar para hetuesve se ai është paguar 30 mijë euro për të vrarë gruan e ish-këshilltarit të politikanit Behgjet Pacolli. Paratë, 15 mijë euro Naim Murseli i ka dhënë para ngjarjes dhe 15 mijë euro të tjera pas saj.
Edhe vetë bashkëshorti i viktimës, ka pranuar në Policinë e Kosovës se ka porositur vrasjen e gruas.
Dyshime për rastin u ngritën menjëherë pas dëshmisë që kanë dhënë familjarët e viktimës dhe vetë Naim Murseli, në media dhe para hetuesve. Ai ndodhej në makinë bashkë me Liridonën dhe dy fëmijët, por çuditërisht grabitësit e armatosur u përleshën vetëm me gruan dhe jo me kryefamiljarin.
“Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast”, thuhet në njoftim.
Lidhur me vrasjen e Liridona Ademaj është arrestuar edhe Kushtrim Kokalla, që raportohet të jetë nipi i Naim Murselit. Ai është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe kjo është konfirmuar nga Ministria e Mbrojtjes, por nuk dihet saktësisht roli i tij.