Kontrollorët në Aeroportin e “Nënë Tereza” kanë reaguar pas grevës së nisur mëngjesin e sotëm.
Në një deklaratë për media, avokati i kontrollorëve ka thënë se pushimi i dy kolegëve të tyre nga puna dhe mosrespektimi i kontratës me shtetin, kanë qenë disa nga arsyet, përveç uljes së pagës, që kanë çuar në pezullimin e punës.
Pjesë nga deklarata e avokatit të kontrollorëve:
Është një detyrim ligjor, në momentin që ndihemi në kushtet e paaftësisë, jemi të detyruar të deklarojmë paaftësinë. Dy nga kontrollorët të cilët deklaruan për paaftësinë, filluan menjëherë procedurat për shkarkim nga puna. Në këto kushte të gjithë kanë vendosur që janë në kushtet e paaftësisë për të ushtruar detyrën. Nuk është çështja vetëm paga, edhe procedurat operacionale, që kanë të bëjnë me sigurinë si vepron dhe operon kontrollori. Nuk jemi në kushtet e braktisjes së punës, kontrollorët vijojnë të shkojnë në vendet e punës.
Braktisja e vendit të punës, është mosshkuarja në punë pa asnjë arsye. Kontrollori duhet të njoftojë eprorin që është i paaftë për punë. Mosrespektimi i kodit ligjor do të sillte gjobitjen.
Nuk është çështje politike. Kërkesat tona janë respektimi i kontratës së punës. Largimi ose ndryshimi i orareve të punës sjell shkëputjen nga përditshmëria e punës. Largimi sjell paaftësi të pjesshme. Kjo është një nga çështjet, zgjatja e këtyre afateve. Ne jemi ende në pritje të zgjidhjes konsensuale të situatës. Pika e parë që u diskutua në takim, duhet të anulohet procedura, dhe këta persona të kthehen në pozicionet e mëparshme. Nuk rezulton të jenë në turne ka qenë motivimi.