Belinda Balluku, Elisa Spiropali e Mirela Kumbaro bënë atë që gjithë burrat e PS nuk e arritën dot: Maksimalizuan e dyfishuan votat socialiste në zona të vështira të veriut, që nuk shquhen si votues të majtë. Shkodra, Dibra, Lezha folën për PS në këto zgjedhje, ndërkohë që Tirana, Vlora, Fieri, Elbasani kanë një rënie të madhe të votave. Si u shpërndanë të deleguarit në qarqe dhe cilat ishin ato zona me “firot” më të mëdha të votave socialiste
Nga Ilir Xhafaj
Fituam! Vetëm përpara! Nuk po rreshtin turet e falenderimeve për socialistët në gjithë vendin pas zgjedhjeve lokale dhe e gjithë kjo panoramë po bëhet për të zbehur disi analizën e brendshme që po bëjnë strukturat për të parë se ku janë me votat e çfarë ka ndodhur me votën socialiste. Shumë syresh brenda strukturave kanë shumë argumenta pse kanë “firuar” në drejtim të paditur mijëra vota të së majtës në bastione të majta.
Sigurisht nuk flitet më për 1 milionë shuplakat e 2013 drejtuar Sali Berishës që sollën në pushtet Edi Ramën e prej pushtetit nuk po e heqin dot. Por zgjedhje pas zgjedhjesh, socialistët, të lodhur e të konsumuar prej pushtetit, të venitur prej korrupsionit, të dërrmuar prej skandaleve e të favorizuar maksimalisht nga një opozitë e përçarë e mungese alternative, e gjejnë veten në pushtet për të disatën herë.
Aq shumë është zhgënjyer elektorati shqiptar sa në tavolina përherë e më shumë dëgjon shprehjen se “është e kotë të votosh”. Ndërkohë që opozita shqiptare, me zgjedhje e pa zgjedhje, as po mund të organizohet, as po mund të rizgjohet e ringrihet e as po gjen forcë të pranojë gabimet e të vetëzgjohet.
ANALIZA E ZGJEDHJEVE 2021 DHE 2023
Partia Socialiste arriti të marrë shumicën e bashkive të vendit në zgjedhjet e 14 Majit të këtij viti, duke u rikonfirmuar si forcë politike në të paktën shtatë palë zgjedhje me radhë. Që prej vitit 2013 kur erdhi në pushtet dhe deri në 2023, një dekadë në pushtet, socialistët janë më të aftët për të fituar besimin e popullit.
Newsbomb.al analizon dy edicionet e fundit zgjedhore, parlamentaret e 2021-it dhe ato lokale të 14 Majit. Dhe pse janë zgjedhje të natyrave të ndryshme, pra zgjedhje qendrore e zgjedhje lokale, nuk kanë shumë diferenca. Sepse me strukturën e zgjedhjeve të përgjithshme ku kandidati për deputet kishte vlerë për shkak të votave personale që merrte për të thyer herësin, edhe në këto zgjedhje, kandidati për kryetar bashkie apo këshill bashkiak ka vlerë në sjelljen e votës personale.
Nga të dhënat dhe votat që ka marrë Partia Socialiste, del se kjo forcë politike, më e madhja në vend, ka hyrë në një proces firoje nga zgjedhjet e 2021 në zgjedhjet e 2023. Numërohen me gishtat e njërës dorë bashkitë, bashkë me qarqet, që kanë marrë rezultat pozitiv në zgjedhje. Si ato që janë votëbesuar për herë të dytë ose të tretë, por në të njëjtën kohë edhe kanë shënuar rritje të madhe të votave në kutitë e votimit, krahasuar me votat e dy viteve më parë. Shqiptarët janë lodhur nga kjo forcë politike, apo po refuzojnë drejtuesit e Edi Ramës në qarqe?!
Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e njëzetedy të Revistës Neësbomb.al, e cila ka dalë në treg prej datës 20 Qershor dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes…