Grabitja e parave, Qato: Ja shkeljet e kompanisë “Jaguar”, punonjësit kishin armë por nuk vepruan sipas ligjit

Publikuar tek: aktualitet, më 13:57 10-02-2017 Grabitja e parave, Qato: Ja shkeljet e kompanisë “Jaguar”, punonjësit kishin armë por nuk vepruan sipas ligjit

Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Altin Qato, ka dalë një një deklaratë për media lidhur me grabitjen e mbi 2 milion euro të bankës BKT gjatë transportit me automjetet e shoqërisë “Jaguar Security”.

Qato tha se kompania “Jaguar” ka kryer disa shkelje në plotësimin e kushteve që kanë çuar në heqjen e licencës. Qato u shpreh gjithashtu se bankat nuk investojnë në sigurinë e tyre por shohin vetëm anën ekonomike, megjithatë nuk pranoi të komentojë në lidhje me personat që kryen grabitjen dhe sa afër idenntifikimit dhe kapjes së tyre është policia. 

"Çështja është në hetim dhe po ndiqet me përparësi të lartë nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria për Krime të Rënda.

Rezulton se subjekti privat Jaguar Shpk që ka kontratë me Bankën Kombëtare, ka shkelur rregullat e mëposhtme:

Mjetet ishin të modifikuara dhe nuk plotësonin kriteret

Kamerat e instaluara nuk ishin të aktivizuara

Një nga drejtuesit e mjetit nuk nuk kishte autorizimin përkatës

Punonjësit ishin te pajisur me armë zjarri por nuk kanë reaguar sipas ligjit

Mjetet nuk kishin logone  kompanisë

Punonjësit e eskortës nuk kanë njoftuar policinë dhe nuk kanë treguar gatishmëri për të bashkëpunuar

Bazuar në shkejet e kryera është vendosur heqja e çertifikatës së subjektit Jaguar shpk me seli në Tiranë.

Bankat nuk investojnë në sigurinë e tyre. Bankat marrin parasysh vetëm anën ekonomike dhe jo atë të sigurisë."

Deklarata e Plotë:

Siç jeni vënë në dijeni, dje në datën 09.02.2017, rreth orës 13:15, pranë një kryqëzimi, në rrugen Qafë Kashar-Rinas Tiranë, para Universitetit “Epoka”, ka ndodhur vjedhja me armë e një sasie vlerash monetare të Bankës Kombëtare Tregtare, që transportoheshin për në Rinas nga Shoqëria Private e Sigurisë Fizike “Jaguar”.

Çështja është në hetim dhe po ndiqet me përparësi të lartë nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda.

Përveç punës që po bëhet për zbulimin e autorëve, Policia ka ngritur grupet e punës, për të analizuar përgjegjësinë e strukturave përkatëse lidhur me sigurinë e transportit të vlerave monetare.

2.Përgjegjësitë e SHPSF, Bankave.

Nga analiza paraprake e ngjarjes rezulton se subjekti Shoqëria Private e Sigurisë Fizike “Jaguar”, i cili ka kontratë shërbimi për shoqërimin e vlerave monetare me BKT me nr.813, datë 01.05.2015 me afat dy vjeçar, ka shkelur rregullat e mëposhtme:

1.Mjetet për transportimin e vlerave monetare ishin të modifikuara dhe nuk plotësonin kriteret, pavarësisht se në lejen e qarkullimit të lëshuara nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit të Transportit Rrugor janë shënuar “automjet i prodhimit të veçantë”.

2.Kamerat e instaluara në mjetin e blinduar nuk ishin të aktivizuara në momentin e ndodhjes së ngjarjes.

3.Njëri nga drejtuesit e mjetit të blinduar nuk kishte autorizim për të qarkulluar me këtë mjet.

4.Punonjësit e shërbimit ishin të pajisur me armë zjarri, por nuk kanë reaguar në përputhje me ligjin “Për përdorimin e armëve”.

5.Mjetet e gjurmimit nuk ishin vendosur sipas procedurave standarde për shoqërimin e vlerave monetare.

6.Të dy automjetet e shoqërimit të vlerave monetare nuk kishin logon dhe stemën e Shoqërisë Private të Sigurisë Fizike.

7.Punonjësit e shërbimit të eskortës nuk kanë njoftuar strukturat e Policisë së Shtetit, dhe nuk kanë bashkëpunuar me to në momentin e ndodhjes së ngjarjes sipas procedurave standarte.

8.Qendra e kontrollit të SHPSF “JAGUAR” nuk funksionoi për menaxhimin e këtij shërbimi.

Bazuar në shkeljet e kryera, Komisioni i Shqyrtimit të Kërkesave për Licencim dhe Çertifikim, në Drejtorinë e Përgjithshme për Sigurinë Publike, gjatë paradites së sotme, ka vendosur “heqjen e çertifikatës të titullarit dhe drejtuesit teknik i subjektit të SHPSF “Jaguar” shpk, nënkategorisë 1.3.B, me seli ne Tiranë

Ju rikujtojmë se Drejtoria e Policisë së Shtetit dhe Ministria e Punëve të Brendshme, në mënyrë të vazhdueshme ka kërkuar nga subjektet SHPSF, në takimet e zhvilluara me ta, respektimin e ligjit “Për Shërbimin Privat të Sigurisë Publike” dhe akteve të tjera normative, që synojnë në rritjen e performancës së këtij shërbimi dhe parametrave të sigurisë.

Edhe gjatë takimit të fundit të datës 8 Shkurt 2017, i organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, u ngritën problematika serioze, që kanë të bëjnë me trajtimin e ulët financiar të personelit dhe pajisjen me mjetet e duhura bashkëkohore të sigurisë fizike.

Ruajtja dhe sigurimi i 469 degëve dhe filialeve të Bankave të Nivelit të Dytë në të gjithë vendin, bëhet nga  92 SHPSF, me 469 punonjës të cilat kryejnë shërbim vetëm turni i parë dhe për kohën tjetër, ruhen dhe sigurohen me anë të sistemeve të alarmit.

Sigurimi dhe shoqërimi i vlerave monetare bëhet nga 23 SHPSF, me 501 punonjës shërbimi të çertifikuar, të pajisur me 336 armë, dhe me 103 mjete të blinduara.

Nisur dhe nga raste të tjera të ndodhura më parë, ne kemi ngritur si shqetësim, duke ju drejtuar dhe strukturave drejtuese të bankave, se Bankat nuk investojnë sa duhet për sigurinë fizike të tyre dhe të sigurimit të vlerave monetare gjatë transportit. Bankat lidhin kontrata abuzive me SHPSF-të respektive, me çmime jashtë kritereve ligjore dhe nuk marrin për bazë rritjen e parametrave të sigurisë, por vetëm anën ekonomike duke ulur koston e tyre, e cila ndikon në uljen e parametrave të sigurisë.

Sot në datën 10 Shkurt 2017, megjithë ngjarjen e ndodhur dje, përsëri BKT ka shoqëruar vlera monetare me shoqërinë SHPSF “Jaguar”, e cila nuk plotëson kriteret dhe i është hequr çertifikata. Policia e Shtetit, menjëhere ka marrë masa për bllokimin e kësaj eskorte dhe kthimin përsëri të Bankë.

Me miratimin dhe hyrjen ne fuqi edhe të ligjit “Për masat shtesë të sigurisë”, Bankat dhe SHPSF-të duhet t’i përgjigjen detyrimeve të përcaktuara në ligj dhe aktet normative në zbatim të tij.

Policia e Shtetit në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, Shoqatën e Bankave, po punojnë për përmirësimin e kuadrit ligjor ekzistues, në lidhje me sigurimin e objekteve bankare, kategorizimin e niveleve të mjeteve të blinduara, trajnimin e personelit të shërbimit SHPSF dhe detyrat dhe përgjegjësitë e gjithë subjekteve të përfshira.

Me Urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit është ngritur një grup pune, me qëllim inspektimin dhe kontrollin e veprimtarisë së gjithë SHPSF-ve që veprojnë në Republikën e Shqipërisë. Për ato shoqëri që do të kenë mangësi dhe shkelje, do të propozohet heqja e licenses së tyre.

Policia e Shtetit i kujton publikut se SHPSF janë subjekte që ruajnë sigurinë publike dhe si të tilla duhet të marrin të gjitha masat që të zbatojnë detyrimet që u njeh ligji. Mospërmbushja e këtyre detyrimeve do të sjellë si pasojë heqjen e licencës dhe deri në ndjekjen penale të atyre që abuzojnë me sigurinë e qytetarëve.

Policia e Shtetit po vazhdon hetimet intensive për zbardhjen e kësaj ngjarjeje me qëllim nxjerrjen e përgjegjësive dhe autorëve para ligjit.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Zbulohet tjetër skandal: BKT tenton të nxjerrë para këtë mëngjes me “Jaguar”, ndërhyn në momentet e fundit policia dhe paralizon gjithçka
Shqiptari kapet në aeroport me 79 mijë euro “cash”, i sekuestrojnë gjysmat »
Article Logic
Execution time: 0.013138055801392
array(1) { ["section"]=> string(111) "grabitja-e-parave-qato-ja-shkeljet-e-kompanise-jaguar-punonjesit-kishin-arme-por-nuk-vepruan-sipas-ligjit-68327" }