Një ngjarje e rëndë, që fatmirësisht ka përfunduar pa pasoja, ka ndodhur në fshatin Malecaj të Lezhës në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne. Bëhet me dije se rreth orës 02.00 të mëngjesit, persona të armatosur kanë tentuar të grabisin shtëpinë e familjes Buja.
Brenda shtëpisë në momentin e ngjarjes raportohet se ka qenë vetëm kryefamiljari Nikoll Buja. Sapo ka dëgjuar zhurmën, ai ka reaguar dhe është përballur me grabitësit.
Personat e armatosur dhe të maskuar, kur janë përballur me rezistencën e te moshuarit kanë nisur të përleshen me të, duke e goditur në pjesën e kokës. Nikoll Buja raportohet se e ka kapur armën nga gryka dhe e ka drejtuar në ajër, duke bërë që grabitësit të dalin huq.
Në këto momente, dy personat e maskuar kanë nisur ta qëllojnë me grushte të moshuarin, duke i shkaktuar lëndime në fytyrë.
Pas këtij momenti, grabitësit janë larguar nga shtëpia e familjes Buja në fshatin Malecaj të Lezhës dhe banorët kanë njoftuar Policinë. Blutë e Lezhës kanë nisur hetimet, por deri tani nuk ka informacion nëse është rënë në gjurmët e personave të aramtosur, apo nëse ata janë identifikuar.
“Me dalë jashtë kishim frikë. Shtëpia ime është pak më andej, kam dalë në dritare kam dëgjuar duke u dridhur. Krisi arma. Unë mendova se i ka zënë shtëpia. E pashë dhe më tha që kam shpëtuar. Më tha që i kapa grykën e armës dhe e ngrita lart.
Pastaj njëri më kapi me grushta nga turnjtë. E ka fytyrën zi. Jam shumë e frikësuar sepse ai që nuk dëshiron të punojë për një 10 mijë lekësh të merr shpirtin”, është shprehur një nga fqinjet e Nikoll Bujës.