
Një "shtëpi bari" është goditur nga Policia në Kurbin. Gjatë kontrollit, është zbuluar një dhomë e përshtatur për kultivimin e drogës dhe në kushtet e flagrancës është arrestuar pronari i shtëpisë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin, bazuar në informacionet policore, kanë ushtruar kontroll në një banesë në Kurbin.
"Gjatë kontrollit, në banesën e shtetasit M. J.(P.), u evidentua një dhomë, brenda së cilës u gjetën 19 bimë narkotike, të cilat ishin kultivuar në kova, me anë të instalimeve elektrike me llamba, aspiratorëve dhe tubacioneve të ujit. Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës është konstatuar lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Në vijim të operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. J.(P.), 34 vjeç, banues në Kurbin, për veprat penale "Kultivimi i bimëve narkotike" dhe "Vjedhja e energjisë elektrike". Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës", shtetasja R. Ll., 46 vjeçe, banuese në Laç, me detyrë faturiste e OSHEE-së.
Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale bimët narkotike, pajisjet elektrike dhe hidraulike që dyshohet se shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura", njofton Policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.