Drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano, ndodhet në SHBA, për një vizitë pune disaditore. Ai ka udhëtuar drejt Uashingtonit me shefen e Zyrës së Sigurimit të Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Në ditën e parë të vizitës, Nano takoi ambasadoren e Shqipërisë, Floreta Faber dhe më pas ka vijuar takimet me zyrtarë të lartë të agjencive ligjzbatuese në Amerikë. Në takim ka qenë dhe ish-drejtori i Policisë Artan Didi, prej vitit 2015 i emëruar oficer kontakti në Amerikë.
Qëllimi i takimeve që kreu i Policisë po zhvillon me zyrtarë të lartë të agjencive ligjzbatuese amerikane synon rritjen e bashkëpunimit për shkëmbim informacioni, hetime dhe operacione të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit.
Referuar njoftimit zyrtar, Policia e Shtetit thotë se e ka prioritet kryesor bashkëpunimin me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare dhe në veçanti me partnerët strategjikë siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
