Tirana
broken clouds
10.5 ° C
10.5 °
10.5 °
87 %
1kmh
75 %
Sht
13 °
Die
13 °
Hën
16 °
Mar
16 °
Mër
16 °
E shtunë, 3 Dhjetor, 2022

Gjyqtarja e Tiranës në vetting, Ariana Caco jep shpjegime për balancat negative

spot_img

Lajme të ngjashëm

Gjyqtarja e Tiranës, Ariana Gumbardhi Caco dhe bashkëshorti i saj në cilësinë e përfaqësuesit ligjor, avokati Artur Gumbardhi, dhanë përgjigje për barrat e provës të kaluara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Ata dhanë shpjegime për kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit gjatë seancës dëgjimore të dytë të zhvilluar të premten më 30 shtator 2022, që së bashku me ndërprerjet për pushim, zgjati rreth gjashtë orë e gjysmë. Ndërkohë, Caco mori vlerësim pozitiv për pastërinë e figurës.

Seanca parardhëse e zhvilluar më 28 shtator dështoi të zhvillohej pasi Komisioni u tërhoq për trajtimin e tre kërkesave të subjektit të rivlerësimit. E para kishte të bënte me përjashtimin e anëtares së trupës Etelda Çiftja për shkak të marrjes së saj të pandehur nga SPAK për “falsifikim të dokumenteve” dhe “deklarim të rremë”, vepra penale për të cilat u shpall e pafajshme në shkallën e parë të Gjykatës së Posaçme.

Po ashtu, Caco kërkoi për t’u njohur me emrat e këshilltarëve ligjorë dhe financiarë të KPK-së që kishin hartuar raportet në çështjen e saj me pretendime për konflikt të mundshëm interesi, si dhe që seanca dëgjimore të zhvillohej me dyer të mbyllura me justifikimin e mbrojtjes së të dhënave të një familje, pronat e së cilës administrohen nga bashkëshorti, avokati Gumbardhi.

Kryesuesja e trupës së KPK-së, Pamela Qirko njoftoi në fillim të seancës se trupa tjetër që kishte shqyrtuar kërkesën për përjashtimin e Çiftjas e kishte rrëzuar atë. Po ashtu, Komisioni ka vendosur të mospranojë edhe dy kërkesat e tjera të subjektit.

Në vijim, gjyqtarja Caco ngriti pretendim për konflikt të mundshëm të interesit të anëtares Etleda Çiftja në rivlerësimin e saj, me argumentin se kishte pasur marrdhënie pune me vëllain e bashkëshortit. Ajo paraqiti si prova dy email-e që tha se vëllai i bashkëshortit i kishte dërguar mesnatën e 29 shtatorit, që sipas subjektit i ishin dërguar më parë kunatit nga Çiftja. Caco u shpreh se nuk po bënte kërkesë të re për përjashtimin e Çiftjas, por theksoi se e linte në vlerësim të komisioneres që të konsideronte nëse ishte ose jo në kushtet e konfliktit të interesit.

Kryesuesja Qirko vërejti se të tre anëtarët ishin shprehur për mungesën e konfliktit të interesit në këtë çështje dhe i dha fjalën relatorit të çështjes, Roland Ilia i cili paraqiti në mënyrë të përmbledhur raportet e gjetjeve të Komisionit në të tre kriteret e rivlerësimit.

Në seancë u evidentuan balanca negative në vlera të mëdha për kryerjen e investimeve, krijimin e likuiditeteve dhe mbulimin e shpenzimeve, që u kundërshtuan prej bashkëshortit të subjektit, i cili për rreth pesë orë dha sqarime me detaje duke treguar historikun e familjes. Pjesa më e madhe e të ardhurave sipas tij buronin nga puna si avokat dhe administrator i pronave të një familje hebreje që nuk jeton prej 30 vitesh në Shqipëri; si dhe nga një sipërfaqe e konsiderueshme toke të pretenduar si të përfituar nëpërmjet shkëmbimit në natyrë.

Gjatë gjithë seancës kryesuesja Qirko i tërhoqi vëmendjen avokatit Gumbardhi, duke i kërkuar që të ishte më i përmbledhur dhe të jepte shpjegime për barrat e provës. Ajo vërejti se qëndrimi i tij do të mbahej në konsideratë në vlerësimin përfundimtar të subjektit. Gumbardhi i konsideroi shpjegimet e tij të zgjatura lidhur me historikun e familjeve të tij e të bashkëshortes, si dhe për familjen hebreje, në funksion të barrës së provës. Ai vijoi të paraqiste pretendimet e tij duke dominuar seancën dëgjimore të bashkëshortes, e cila dha shpjegime për gjetjet në aspektin profesional.

Në kriterin profesional, KPK evidentoi gjetje që kishin të bënin kryesisht me tejkalim të afateve në arsyetimin e vendimeve dhe njoftimin e tyre palëve. Giyqtarja Caco i cilësoi pretendimet e denoncuesve për vonesat në arsyetimin e vendimeve të egzagjeruara dhe jorealiste, megjithëse pranoi se kishte tejkalim të afatit. Ajo u justifikua me ngarkesën e madhe në punë, ndërsa për pretendimet lidhur me vonesa të njoftimeve të vendimeve, u shpreh se i dorëzon në sekretarinë gjyqësore që ka detyrimin të bëjë njoftimin përkatës.

Problemet për pasurinë

Relatori Ilia vërejti se nuk janë gjetur probleme në një shtëpi me sipërfaqe 191 m2 + truall 880 m2, të pëfituar nga subjekti nëpërmjet trashëgimisë në vitin 2011. Po ashtu, kanë rezultuar të sakta deklarimet e gjytares Caco për një depozitë në vlerën 1 milion lekë dhe një llogari rrjedhëse ku është gjendur shuma 195 mijë lekë në momentin e deklarimit për rivlerësimin kalimtar, me burim të ardhurat nga pagat e subjektit.

Komisioni nuk ka gjetur probleme edhe në dy apartamente të përfituara nëpërmjet privatizimit në vitet 1993 dhe 1994, një në Tiranë me sipërfaqe 39 m2 nga familja e origjinës së gjyqtares Caco dhe tjetri në Vlorë me sipërfaqe 54 m2, nga familja Gumbardhi – ku subjekti dhe bashkëshorti i saj rezultojnë bashkëpronarë.

Por, KPK konstaton pamundësi financiare për ndërtimin e shtesave në secilën prej këtyre banesave, ajo bashkëngjitur apartamentit në Tiranë me sipërfaqe 68 m2 dhe 70 m2 në Vlorë. Nisur nga mungesa e dokumentacionit për këto dy investime, Komisioni i ka përllogaritur shpenzimet sipas referencave të Entit Kombëtar të Banesave, EKB, nga kanë rezultuar vlera që nuk janë mbuluar nga të ardhurat e subjektit dhe të personave të lidhur.

Në vijim, Ilia u ndal në pasuritë e bashkëshortit të Cacos. Komisioni ka administruar një kontratë shitblerje të vitit 2013, ku përcaktohet blerja e një sipërfaqe tokë 20 mijë m2 në Lezhë nga avokati Gumbardhi, kundrejt çmimit 2.5 milionë lekë. Dy vjet para nënshkrimit të kontratës së shitblerjes, palët janë dakordësuar për një kontratë porosie shkëmbimi, konstatim për të cilin subjektit i janë kërkuar shpjegime.

Gumbardhi ka pasqyruar në deklaratën “veting” disa troje me sipërfaqe mijëra metra katrorë, me burim trashëgim ligjore nga babai i tij, me pjesë takuese 2%. Ilia vërejti se nga dokumentet e administruara ka rezultuar se ka figuruar një emër Arben dhe bazuar në këtë gjetje Komisioni i konstaton jo bindëse shpjegimet e subjektit lidhur me arsyet e mosregjistrimit të këtyre pasurive.

Po ashtu, janë deklaruar edhe depozita të krijuara me të ardhura nga puna e bashkëshortit të subjektit si avokat, si dhe nga administrimi i pronave të një familje, me vlerë totale rreth 42 milionë lekë.

Nga angazhimi si avokat, Gumbardhi ka deklaruar të ardhura në vlerën 24 milionë lekë. Po ashtu ai ka deklaruar se ka qenë i punësuar në një projekt për sistemin e ujitjes të Bankës Botërore të zbatuar në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, prej nga pretendon se është paguar në vlerën totale 40 mijë USD; si dhe ka deklaruar të ardhura nga punësimi në tre shoqëri.

Sipas KPK, Gumbardhi ka provuar se prej projektit të sistemit të ujitjes ka përfituar rreth 34 mijë USD, ndërsa nuk ka provuar shlyerjen e detyrimeve për shërbimet e dhëna në tre shoqëritë me të cilat ka bashkëpunuar. Po ashtu, relatori Ilia tha se nuk janë provuar të ardhurat nga administrimi i pronave të familjes M..

Ilia vërejti se Komisioni ka konsideruar në analizën financiare si burime financiare të ligjshme vetëm ato të ardhura për të cilat janë paguar detyrimet tatimore, që kanë rezultuar në shumën 17.6 milionë lekë. Për rrjedhojë është konstatuar mungesë e burimeve të ligjshme për krijimin e depozitave në vlerën 42 milionë lekë dhe mbulimin e shpenzimeve.

KPK ka gjetur pamjaftueshmëri edhe për blerjen e një automjeti tip Benz në vitin 2006, kundrejt shumës 350 mijë lekë.

Komisioni e ka ndarë në dy pjesë analizën financiare, ku për periudhën 1993-2002 ka rezultuar pamundësi në shumën 7 milionë lekë, ndërsa për vitet 2003-2016 është konstatuar balancë negative në vlerën 36 milionë lekë.

Avokati Gumbardhi deklaroi se konstatimet e Komisionit kishin të bënin kryesisht me të ardhurat dhe pronat e përfituara e të administruara prej tij dhe se për këtë arsye do të jepte ai shpjegime në kriterin e pasurisë.

Ai e cilësoi si të pabazuar analizën financiare të Komisionit, duke petenduar se duhej të ishte hetuar edhe gjendja familjare e subjektit dhe e tij. Gumbardhi renditi historikun e familjeve që para viteve ’90, duke treguar se me bashkëshorten, babain dhe motrën e saj, pas viteve ’90 kishin jetuar edhe halla dhe bashkëshorti i saj, pasi ishin rikthyer nga internimi – që sipas tij nuk kishin pasur fëmijë. Ai kërkoi që në analizën e atyre viteve të konsideroheshin edhe të ardhurat e tyre, përfshi një dëmshpërblim si të persekutuar në shumën 1.2 milion lekë dhe nga kompesimi për një objekt në vlerën 500 mijë lekë.

Gumbardhi deklaroi se dhe ai vetë rridhte nga një familje e pasur të cilës i ishin sekuestruar kilogramë me flori gjatë diktaturës komuniste. Ai tha se kishte dorëzuar si prova gazeta të kohës ku evidentohej sekuestrimi i pasurisë së familjes së tij.

Sipas avokatit të subjektit, ata asnjëherë nuk kishin pasur qëllim pasurimin nëpërmjet paligjshmërisë, pasi zotëronin prona të paluajtshme të trashëguara nga stërgjyshërit në qendër të Tiranës e të Vlorës, ku jetonin fëmijtë e tyre. “Ne nuk kemi mundur të zotërojmë një pjesë të madhe të pronave të trashëgimlënësve. Pronat e mia në Vlorë janë të papërfillshme me ato që kemi pasur”, deklaroi ai në seancë dhe këmbënguli se pasaktësia në dokumentacionin e trojeve në të cilët deklaron se është bashkëpronar, ishte për faj të noterit që në vitin 1993 kishte shënuar Arben në vend të emrit Artur.

Ai shpjegoi se praktika e përfitimit të troje figuron në emër të babait dhe se korrigjimi ishte kryer në interes të disa personave që do blinin një pjesë toke.

Gumbardhi pretendoi se kishin kryer deklarime të pasurive që në atë periudhë, pasi prej vitit 1995 legjislacioni e parashikonte një gjë të tillë për zyrtarët e nivelit të lartë, përfshi dhe magjistratët. Por, Gumbardhi u justifikua për mosdorëzimin e provave për sigurimin e këtyre deklarimeve me faktin se organet e tatimeve kishin shpjeguar nëpërmjet përgjigjeve zyrtare se nuk i dispononin.

Në vijim ai pretendoi se kishte konvertuar pas viteve ’90 monedha ari që i kishte trashëguar nga familja dhe solli në vëmendje faktin se ekonomia kishte qenë informale në ato vite.

Gumbardhi deklaroi se veç trashëgimisë nga babai, kishte pasur të ardhura nga nëna. Sipas tij, nëna kishte trashëguar dyqane, troje dhe pyje. Ai u shpreh se deri në vitin 2014 kishte administruar pyjet e trashëguara nga nëna, që më pas i kanë kaluar vëllait tjetër. Po ashtu, ai këmbënguli se kishte vërtetuar edhe të ardhura të konsiderueshme të vëllait nga puna në emigracion.

Gumbardhi shpjegoi se kishte punuar si ndihmësgjyqtar dhe si gjyqtar për periudhën 1993-1996, ndërsa shkarkimin e tij e cilësoi si të paligjshëm, duke sqaruar se Gjykata Kushtetuese e kishte çmuar si antikushtetues, por se ende nuk e kishin rikthyer në detyrë.

Ai kundërshtoi analizën financiare të bazuar në përllogaritjen e vlerës së investimeve në shtesat e apartamenteve sipas referencave të EKB-së, duke kërkuar konsiderimin e deklarimeve të tyre.

Sipas subjektit dhe bashkëshortit të saj, ata dhe familjarët e tyre kishin pasur burime financiare të ligjshme të mjaftueshme për të kryer investimet në shtesat e apartamenteve, si dhe për të mbuluar shpenzimet e tjera, duke pretenduar se rezultonin me balancë pozitive për gjithë periudhën para vitit 2003.

Lidhur me tokën e blerë në Lezhë, Gumbardhi këmbënguli se në të vërtetë bëhej fjalë për një kontratë shkëmbimi me fitim të caktuar në rast suksesi, që ishte dakordësuar sipërfaqa 20 mijë m2. Ai deklaroi se për vite me radhë kishte ndjekur proceset gjyqësore të pronarëve të tokës derisa ata i kishin regjistruar në emrin e tyre, pa marrë asnjë pagesë.

Ai e cilësoi si të pabazuar konstatimin për pamjaftueshmëri të blerjes së Benz-it në 2006-ën, duke vërjetur se vetëm në një muaj kishte përfituar tre paga dhe se kishin pasur të ardhura të konsiderueshme për një investim të tillë.

Gumbardhi pretendoi se kishte provuar se kishte paguar detyrimet tatimore nga puna si avokat për fashën 4 milionë lekë të ardhura në vit dhe kërkoi që të në analizë të konsiderohet ky fakt.

Po ashtu, ai e cilësoi të pabazuar konstatimin e KPK-së për të konsideruar si të ligjshme të ardhurat nga avokatia vetëm për periudhën 2007 e në vijim kur ai ishte regjistruar. Ai argumentoi se cilësimi si avokat nuk ka të bëjë me regjistrimin në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe vërejti se kishte dorëzuar vendime, si dhe vërejti se aktualisht figuron se ofron shërbime juridike dhe jo si avokat.

Sipas Gumbardhit, ai e kishte fituar me gjyq të drejtën e ushtrimit të profesionit të avokatit, pasi nuk e regjistronte Dhoma e Avokatisë.

Ai këmbënguli se nga avokatia kishte përfituar të ardhura në vlerën 30 milionë lekë për periudhën 2007-2016 dhe e cilësoi të gabuar shumën 24 milionë lekë të shënuar në deklaratën “veting”.

Po ashtu, Gumbardhi e kundërshtoi konstatimin e KPK-së për mospagimin e detyrimeve tatimore për të ardhurat e siguruara nga bashkëpunimi me tre shoqëri. Ai tha se ka qenë detyrim i tyre për të shlyer detyrimet tatimore dhe shtoi se është paguar gjithmonë në vlerë neto.

I pyetur nga Qirko nëse kishte ndërmarrë ndonjë veprim për të detyruar këto shoqëri që të shlyenin detyrimet përkatëse, Gumbardhi deklaroi se asnjëherë nuk kishte ndërmarrë nisma ligjore kundër klientëve të tij. Ai këkroi që të konsiderohet si i punësuar në cilësinë e individit natyror në këto shoqëri.

Gumbardhi kundërshtoi konstatimet për të ardhurat nga puna në projektin e sistemit të ujitjes duke e konsideruar të gabuar përllogaritjen e KPK-së. Gjithashtu, ai kërkoi që shpenzimet për shkollimin e fëmijëve në një kolegj privat të konsideroheshin me kosto sipas viteve përkatëse.

Në vijim bashkëshorti i subjektit kërkoi që konvertimet e monedhave të depozituara në banë të përllogariteshin me kursin e këmbimit të kohës kur ishin kryer si transaksione dhe jo me atë të vitit 2016. “Vetëm nga kjo del një diferencë 6 milionë lekë”, pohoi ai.

Avokati Gumbardhi u pyet dhe dha shpjegime të detajuara për prona të shumta të një familje hepreje që ka deklaruar se i administron bazuar një një prokurë të posaçme të vitit 2011, ku me të ardhurat e krijuara prej tyre ka krijuar depozita. Sipas tij, bashkëpronarët i kanë dhënë tagër që jo vetëm t’i administrojë ato pasuri, por edhe ti tjetërsojë.

Ai deklaroi se gjithçka kishte lindur bazuar në marrdhënie besimi të ngushtë mes tij dhe bashkëpronarëve, pasi vëllai i tyre dhe gjyshi i tij kishin qenë të dy në kampin e përqëndrimit nazist në Mauthausen të Austrisë, ku dhe kishin ndërruar jetë. Gumbardhi theksoi se kishte administruar këto pasuri në të cilat ishin kryer investime dhe ishin siguruar të ardhura prej qirave, prej nga kishte krijuar depozita që nuk i kishte prekur – megjithëse sipas tij, kishte pasur gjithë mundësitë për t’i përdorur apo shpenzuar.

Bashkëshorti i subjektit kërkoi që këto të ardhura të mos ndikojnë në analizën financiare të bashkëshortes. “Jo më kot kam deklaruar zotërimin e 100% të këtyre të ardhurave për veten time dhe jo 50% unë e 50% bashkëshortja”, pohoi Gumbardhi.

I pyetur nga relatori Ilia se kush i kishte administruar më parë këto pasuri, Gumbardhi shpjegoi se kishte qenë një prej bashkëpronarëve që kishte vijuar të jetonte në Shqipëri. Sipas avokatit, pas mosmarrëveshjeve mes tyre, bashkëpronarët e kishin revokuar prokurën e posaçme. Gumbardhi deklaroi se në vitin 2001 i ishte besuar administrimi i pronave.

Avokati shpjegoi se një prej bashkëpronarëve që kishte pasur mosmarrëveshje me të tjerët, kishte inicuar një proces duke kërkuar fillimisht 60 mijë USD + interesat, ndërsa aktualisht kërkonte katin e tretë të një ndërtese të restauruar, kostot e së cilës, sipas tij, kishin shkuar në vlerën 100 mijë USD. Gumbardhi pohoi se ky bashkëpronar që kërkon të kalojë në pronësi gjithë katin e tretë të banesës, pasuri për të cilën shpjegoi se është shpallur monument kulture, zotëron vetëm 1/18 pjesë takuese.

“Unë po të kisha dashur të bëja transaksione do t’i kisha bërë, se më kanë thënë përdori. Mund t’i kisha përdorur për të blerë më lirë e shitur më shtrenjtë, ose mund t’i kisha shitur apo kaluar edhe vetes time se i kam gjithë tagrat. Por është çështje besimi”, theksoi Gumbardhi dhe shtoi se kishte kryer veprime me të ardhurat vetëm në Shqipëri, kur kishin qenë të pranishëm edhe bashkëpronarët.

Në përfundim të seancës gjyqtarja Ariana Gumbardhi Caco kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 7 tetor, në orën 09:45. /Birn

Më shumë




spot_img








spot_img