Hapësire reklamuese

Aktualitet

Gjyqtari i Elbasanit del sot para vettingut, si ka ndryshuar pasuria e Ramazan Avdiut në vite (SKEDA)

Shkruar nga Newsbomb

Gjyqtari i Gjykatës së Elbasanit, Ramazan Avdiu do të përballet të enjten (sot) më 15 prill me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjyqësore që po kryen procesin e vetingut përbëhet nga Xhensila Pine, Olsi Komici dhe Valbona Sanxhaktari.

Ramazan Avdiu e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe ka punuar fillimisht si gjyqtar dhe më pas kryetar në Gjykatën e Gramshit. Prej vitit 2008, Avdiu e ushtron funksionin në Gjykatën e shkallës së parë në Elbasan.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.

Në deklarimin për herë të parë në vitin 2003, gjyqtari Ramazan Avdiu deklaronte pasuri familjare me vlerë 2.5 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2016, pasuria ka shënuar një rritje me 5 herë, duke kapur vlerën e 12.5 milionë lekëve.

Subjekti zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme prej 4.7 milionë lekësh, likujditete bankare prej 3.3 milionë lekësh, automjet me vlerë 502 mijë lekë dhe kursime në cash prej 400 mijë lekësh. Gjithashtu, ai deklaron huadhënie ndaj personave të tretë në vlerën 3.6 milionë lekë.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 23.3 milionë lekë, nga të cilat 61% burojnë nga paga e Z. Avdiu si gjyqtar dhe 24% nga paga e bashkëshortes. Të ardhurat nga qiraja llogariten në masën 3%, ndërsa gati 12% e të ardhurave kanë burime të ndryshme.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 13 vite të deklarimit, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” huadhëniet në vlera të konsiderueshme që subjekti ka dhënë ndaj personave të tretë ndër vite. Huadhëniet me interes ndaj personave të tretë kapin në total vlerën e 6.5 milionë lekëve, duke gjeneruar të ardhura në vlerën e 1.7 milionë lekëve nga interesat e huadhënieve.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu