Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administratimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriatin i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Ilir Toska zotëronte pasuri në vlerën e 1.6 milionë lekëve në vitin 2003. Në fund të vitit 2016, pasuria familjare e tij kap vlerën e 12.2 milionë lekëve, e rritur me shtatë herë krahasuar me vitin fillestar të deklarimit.
Pasuria e gjyqtarit Toska përbëhet nga një apartament me vlerë rreth 50 mijë euro, llogari bankare në vlerën e 4.1 milionë lekëvve, rreth 900 mijë lekë kursime në cash si dhe një automjet në vlerën e 1 milionë lekëve.
Ndërkohë, të ardhurat familjare për periudhën deklaruese kapin vlerën e 22.9 milionë lekëve, ku pjesën kryesore prej 74.2 për qind e zënë të ardhurat e tij nga funksioni.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin artimetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik mbi 13 deklarata pasurie të gjyqtarit Ilir Toska, të cilat rezultuan pa probleme.
Megjithatë, transaksionet financiare për blerjen e një apartamenti me vlerë 50 292 eurosh në vitin 2005 janë konsideruar si “flamur i kuq” në këtë analizë. Në deklaratën e pasurisë së këtij viti, gjyqtari Toska ka deklaruar se ka marrë një kredi shtetërore me vlerë 5 milionë lekë për blerjen e apartamentit, por i ka përdorur ato pjesërish për pagesën 40 mijë euro, e cila është plotësuar me kursimet e tij dhe një hua prej 12 mijë eurosh.
Në vitin 2006, zoti Toska ka përdorur pjesën tjetër të kredisë prej 3.5 milionë lekësh për të shlyer huanë 12 mijë euro, detyrimin e mbetur te shoqëria sipërmarrëse si dhe për mobilimin e apartamentit.
Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo mbulohet me burime të ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik. /Reporter