Robert Shabani, pronar i kompanisë “R.S.I & T Group shpk”, është nxjerrë sot nga qelia pas seancës paraprake gjyqësore që është zhvilluar për inceneratorin e Fierit. I arrestuar prej kohësh, avokati mbrojtës kërkoi lirinë e klientit të tij.
Ka qenë mbrojtja e avokatit Jurgen Sinani që ka bërë që sot i pandehuri, Robert Shabani, të lërë qelinë. Përballë togave të zeza, Sinani ka kundërshtuar mbajtjen në qeli dhe akuzat e ngritura ndaj pronarit të “R.S.I & T Group shpk”, sepse ushtrimi i ndjekjes penale ishte në kundërshtim me Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale.
Kompania në fjalë ka kryer shërbimet për të cilat është kontraktuar, për Shoqërinë Koncesionare të inceneratorit të Fierit.
Mirëpo, akuza ndaj Robert Shabanit ishte e njëjta me atë për të cilën ky shtetas është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit në Tiranë, në një proces tjetër gjyqësor. Në këto kushte, mbajtja e tij në qeli ishte në kundërshtim me ligjin.
Avokati mbrojtës Jurgen Sinani i ka mëshuar fort këtij fakti dhe ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme lirimin e menjëhershëm të klientit të tij. Dosja për inceneratorin e Fierit kaloi sot për gjykim, me të akuzuar Lefter Kokën, Alqi Bllakon dhe tetë persona të tjerë.
I vetmi person për të cilin akuza u pushua nga Gjykata e Posaçme, ishte pikërisht Robert Shabani.