
Këtë të mërkurë është mbajtur në SPAK seanca e radhës për tragjedinë e Gërdecit ku janë marrë në pyetje dëshmitarët e parë lidhur me rastin. Ish-ministri Fatmir Mediu nuk ishte i pranishëm dhe përfaqësohej gjatë seancës nga avokatët e tij.
I pari që dëshmoi ka qenë Feruzan Durda, i ati i një prej viktimave. Gjatë dëshmisë së dhënë ai pranoi se djali i tij, 15 vjeçar punonte në fabrikë, deklaratë e cila ka sjellë debate të forta mes tij dhe deputetëve të Mediut, pasi ai nuk kishte deklaruar më herët se i biri punonte në fabrikën e demontrimit të armëve.
Durda ka thënë në sallën e gjyqit se vdekja e djalit të tij erdhi si pasojë e papërgjegjshmërisë së shtetit, duke e quajtur një krim shtetëror. Pas tij, dëshmoi dhe Zamira Durda, e cila dha versionin e saj për ditën e ngjarjes. Ajo u shpreh se nuk ka asnjë problem personal me ish-ministrin Mediu, por sipas saj ishte urdhri i tij që solli tragjedinë e Gërdecit.
“Gërdeci është krim shtetëror dhe përgjegjësi ka e gjithë piramida e shtetit. Nuk kam gjë personale me Fatmir Mediun”, tha ajo.
Ndërkohë, dëshmitarëtarët e tjerë kanë dhënë detaje të tjera lidhur me ditën kur ndodhi shpërthimi. Njëra prej dëshmitareve, Drita Cani ka rrëfyer se në fabrikën e demontimit të armëve punonte së bashku me bashkëshortin dhe djalin. Ditën kur ndodhi shpërthimi më 15 mars 2008 ajo ka treguar se nuk ndodhej në punë pasi kishte kryer një ndërhyrje kirurgjikale dhe në vendin e saj kishte shkuar vajza.
Pyetjes së avokatëve se çfarë bëhej me barutin dhe momentin e shpërthimit Drita Cani i është përgjigjur duke thënë se: nuk di çfarë bëhej me barutin, por sipas asaj çfarë më ka thënë goca flaka ka nisur tek dera e magazinës ku dërgohej baruti.
Drita Cani: Kam punuar në fabrikën e demontimit të armëve, në qershor 2007 kam nisur. Kam punuar për 4-5 muaj. Ditën e shpërthimit nuk kam qenë në punë, pasi isha operuar dhe atë ditë në vendin tim ishte goca. Aty kam punuar unë, djali dhe bashkëshorti. Nuk kemi pasur kontrata pune, kishim vetëm një përgjegjës me emrin Vangjel. Ne na kishte punësuar një person me emrin Dritan. Municioni vinte me makina të ushtrisë. Unë me familjarët e mi merreshim me çmontimin e predhave. Ne i shkarkonim nga kamionët hapnim arkat dhe më pas me mjete të ndryshme si sqeparë dhe dalta i hicnim diabolat dhe me çekiç bënim nxjerrjen e barutit. Pasi bëhej ndarja predhat largoheshin me fadroma ndërsa baruti futej në thasë dhe dërgohej tek magazina. Ishte punë e rrezikshme, por ne besonim tek shteti se shteti na solli atje, rregulla në punë nuk kishte, nuk na kanë kërkuar dokumente kur kemi nisur punë. Fatmir Mediun se kam parë kurrë dhe as ushtarakë.
Alketa Hazizi: Kam punuar për disa muaj, nga shpërthimi më ka humbur jetën vjehërri. Nuk kishim kontrata pune dhe nuk kishim bërë trajnime se si bëhej çmontimi i armëve. Në fillim bashkë me burrin dhe vjehrrin e kemi nisur duke çmontuat fishekë dhe më pas kemi kaluar tek predhat. Procedura ishte e njëjtë i çmontonim me çekiçë u hiqnim diabolën dhe më pas predhat merreshin me fadromë ndërsa baruti futej në thasë dhe dërgohej në magazinë. E gjithë fusha ishte e mbushur me barut, nuk e kuptova nga dolën flakët vetëm kam dëgjuar të bërtiturat, flakë, ngrita kokën dhe pashë që flaka ishte tek thasët e barutit. Flakët ishin të larta dhe nuk kishim mundësi që ta shuajmë. Më pas të gjithë kemi tentuar që të largohemi me vrap që të shpëtojmë
Edhe roja në fabrikën e demotimit të armëve në punishten e Gërdecit, Fejzi Shehu, ka dhënë dëshminë e tij. Ai ka deklaruar se ka parë momentin kur karroca e salduar ka marrë flakë në 15 mars.
Fejzi Shehu: Kam punuar në fabrikë me 14 dhe 15 mars. Isha roje tek porta kryesore e fabrikës së demontimit aty futeshin punëtorët dhe dilnin kamionët. Ditën e shpërthimit isha në punë, tek porta kryesore dhe më erdhi një femije i një personi që kërkonte t'i jepte ushqimin të ëmës. Qesen e mora unë dhe jam futur brenda deri tek porta e dytë, aty pashë flakën pranë një karrocë dhe njerzit filluan të bertisnin për shkak të barutit flaka u përhap me shpejtësi dhe ika me vrap. Më pas aty kam mësuar se bëheshin saldimet e karrocave të dorës nga Qemal Deliu. Kam parë Qemalin që atë ditë ka dal dy tre herë jashtë për të salduar karroca dhe të gjitha levizjet bëheshin me lejen e përgjegjësit. Emrin e tij Qemalit e kam mësuar pas shpërthimit sepse nuk e njihja pasi kisha vetëm dy ditë qe punoja në fabrikë.
Mediu akuzohet për dy akuza të lidhura me “Shpërdorimin e detyrës” kryer në bashkëpunim. Vepra e parë penale për të cilën ish-ministri i Mbrojtjes akuzohet, është ajo “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal.
Kujtojmë që shpërthimi në Gërdec ndodhi më 15 mars (e shtunë) 2008, rreth orës 12:05 dhe nga shpërthimi humbën jetën të paktën 26 persona. Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, dha dorëheqjen pak ditë mbas tragjedisë.
Ai nuk pranoi se kishte përgjegjësi për shpërthimin ose ndonjë lidhje korruptive në tregtinë e armëve dhe u shpreh se dorëheqja nga posti ministror ishte një “…përgjegjësi morale.”
GJKKO më herët pranoi kërkesën e SPAK për të marrë në pyetje 71 dëshmitarë në gjyqin ndaj Fatmir Mediut, pavarësisht se mbrojtja e ish-ministrit kërkoi 90 dëshmitarë, ku përfshiheshin dhe personalitete të huaja.