Një ushtar 21-vjeçar do të bëhet i pari rus që do të gjykohet për krime lufte në një gjyq në Kiev, këtë të premte. Vadim Shishimarin akuzohet për vrasjen e një 62-vjeçari në rajonin Sumy të Ukrainës, sipas zyrës së prokurorit të përgjithshëm të vendit.
Hetimi pretendon se Shishimarin qëlloi për vdekje një civil të paarmatosur, i cili po ngiste një biçikletë përgjatë rrugës në fshatin Chupakhivka më 28 shkurt. Sipas prokurorit, trupat ruse hynë në fshat me një makinë të vjedhur me rrota të shpuara, pasi kolona e tyre ra në sulmin e forcave ukrainase.
Kur panë një burrë që po shkonte me biçikletë në shtëpi teksa fliste dhe në telefon, një anëtar nga grupi urdhëroi rreshterin ta vriste në mënyrë që të mos raportonte në ushtrinë ukrainase. Shishimarin dyshohet se ka qëlluar 62 vjeçarin me kallashnikov në kokë, disa herë, nga dritarja e hapur e makinës, thonë prokurorët.
“Shishimarin aktualisht është në paraburgim. Prokurorët dhe hetuesit e SBU kanë mbledhur prova të mjaftueshme për përfshirjen e tij në shkeljen e ligjeve dhe rregullave të luftës, të kombinuara me vrasje me paramendim”, tha prokurorja e përgjithshme ukrainase Iryna Venediktova në një deklaratë në Facebook.
Nëse shpallet fajtor, Shishimarin përballet me dhjetë vjet deri në burgim të përjetshëm.
Kur u pyet për të komentuar mbi gjyqin, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha të premten se ai nuk kishte “asnjë informacion” për rastin. “Unë nuk kam informacion për këtë seancë gjyqësore apo për këtë rast. Nuk e di nëse kjo është e vërtetë. Nuk kam fare informacion për këtë,” tha Peskov.