Hapësire reklamuese

Politikë

Gjykata liron nga qelia ish-deputetin Mark Frroku

Shkruar nga Newsbomb
Gjykata liron nga qelia ish-deputetin Mark Frroku

Ish-deputeti Mark Frroku është liruar nga qelia, dhe për të është caktuar masa “detyrim paraqitje”.

Për Besnik Tomën, shoferin e ish-deputetit, gjykata ka caktuar masën “Arrest në burg” në mungesë. Ndërsa për Bajram Kaculin, Erjon Rekën, Orgito Rekën, Ylli Rekën, Antonio Lazarin, Pal Dodën, Martin Lazerin, të gjithë të përfshirë në konflikt, është caktuar masa “detyrim paraqitje”.

Pak ditë më parë përfaqësues të Kishës Françeskane u përplasën me banorët e fshatit Shetaj. Të dyja palët pretendojnë pronësinë e tokës.

Shkak janë bërë disa dokumente pronësie të njëjta që disponohen nga të dyja palët, e për rrjedhojë të dyja palët pretendojnë se janë pronare të tokës.

I gjithë konflikti ka nisur pikërisht për këtë truall, ku në lojë janë futur edhe persona të tjerë, ndër ta edhe ish-deputeti Mark Frroku. Ky i fundit, referuar njoftimit të Policisë së Shtetit, ka qenë në zonë dhe më pas është përfshirë në konflikt si përfaqësues i Kishës dhe ka nisur rrethimin e pronës.

E ndodhur në një pozicion strategjik, “të fortët” e zonës kanë tentuar ta përvetësojnë, për të ndërtuar më pas një mol në det. Por, kanë hasur në kundërshtimin e familjes Kaculi dhe personave të tjerë, aq sa janë përplasur fizikisht me sende të forta, duke përdorur edhe armët e zjarrit.

Ish-deputeti dhe biznesmeni i njohur Mark Frroku është shprehur para oficerëve të Policisë Gjyqësore se nuk e mbante mend se kush kishte qëlluar me armë. Por siç njofton Policia, personi që ka qëlluar me armë ka qenë Besnik Toma, shoferi i Frrokut.

Ish-deputeti ka theksuar se ka kontratë për menaxhimin e pronave të Kishës, ndërkohë që Kisha Françeskane as nuk e njeh Mark Frrokun, të paktën sipas deklarimeve të administratores Ana Shtjefni. “Nuk e mbaj mend kush qëlloi gjatë konfliktit. Kam kontratë për menaxhimin e pronave të Kishës. Nuk e di kush e filloi sherrin dhe kush është konfliktuar”, është shprehur Mark Frroku.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese