Gjykata Kushtetuese rrrëzoi kërkesën e Dhomës së Avokatisë dhe Komitetit të Helsinkit. Harta e re gjyqësore e cila u shoqërua me shumë kritika do të mbetet në fuqi.
Dhoma Kombëtare e Avokatisë kundërshtoi si antikushtetues hartën e re gjyqësore, proces i cili u hap tre muaj pasi u zbatua reduktimi i ndjeshëm i gjykatave, ndodhur nga janari deri në 1 korrik 2023.
Harta e re gjyqësore u miratua më 21 korrik të vitit të shkuar, ku veç shkrirjes së disa gjykatave në rrethe, parashikon edhe shkrirjen e 5 prej gjykatave të Apelit, në vend duke lënë vetëm një të tillë në Tiranë.
Po ashtu, ajo parashikon shkrirjen e 4 Gjykatave Administrative, duke krijuar vetëm 2 të tilla; një në Tiranë për Veriun e vendit dhe një në Lushnje për Jugun.
Harta e re gjyqësore e cila u hartua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, që prej fillimit hasi kundërshtimet e avokatëve, të cilët bojkotuan për disa javë edhe seancat.
Komiteti Drejtues i Dhomës Avokatisë të Shqipërisë, në 12 qershor pasi u njoh më këtë hartë mori vendimin që të bojkotonin për 4 ditë të gjitha proceset gjyqsore, me përjashtim të masave të sigurimit, të planifikuara për gjykim, në të gjitha nivelet e gjykatave përfshire edhe proceset e planifikuara në Gjykatën e Lartë nga data 14 deri ne datën 17 qershor.
Pas këtij vendimi, harta e re do të funksionojë me 16 gjykata në total, 12 të Shkallës së Parë, 1 Gjykatë Apeli dhe 2 gjykata Administrative.
KLGJ shkriu 18 gjykata, duke reduktuar gjykatat e Apelit në një të vetme në Tiranë, nga 5 gjykata Administrative do jenë në vetëm dy, në kryeqytet dhe në Lushnje, ndërsa nga 22 që ishin, me hartën e re, nga sot, 1 shkurt, do të jenë vetëm 13 gjykata të Shkallës së Parë.