Ilir Paja, i arrestuar një muaj e gjysmë më parë në Laprakë për llogari të drejtësisë italiane, nuk do të ekstradohet në vendin fqinj për të vuajtur dënimin. I njohur me nofkën “Ufo”, për shkak të dy arratisjeve nga burgje të sigurisë së lartë, ai u lirua me kusht nga Gjykata e Krujës në 2017.
Pas këtij vendimi, qëndronte gjyqtarja e arrestuar Enkelejda Hoxha, e njohur për lirimin e kriminelëve nga burgu, edhe të atyre të dënuar përjetë. Ajo e la të lirë Ilir Pajën me argumentin se vuante nga disa sëmundje, ndonëse kishte edhe një vit burg për të shlyer.
Gjykata e Tiranës ka vendosurqë të njohë dënimin e dhënë nga Gjykata e Apelit në Milano dhe Paja do e vuajë atë në një burg në Shqipëri. Sipas vendimit të togave të zeza dhe akuzës nga Italia, “Ufo” është dënuar me 25 vjet e 4 muaj burgim për vrasje dhe rrëmbim.
Dy arratisjet nga burgjet italiane të sigurisë së lartë
Ndonëse ai u arrestua në Itali, pas disa muajsh dënim, në qershorit 2006, ai ka mundur të arratiset nga paraburgimi i Perugia-s, duke përdorur çarçafët si litar, deri në arrestimin e tij të dytë, më 4 shtator 2006. Shqiptari ishte burgosur prej 5 muajsh në pritje të ekstradimit nga Gjermania, ku akuzohej për vrasjen e një shqiptari tjetër në Duisburg.
Ai u ndalua në Itali dhe ndaj tij u shtua edhe akuza për shfrytëzim prostitucioni. Por ai ka mundur të ikë sërish nga burgu, në 14 gusht të 2007-ën, ndërsa policia ishte duke e transportuar me ambulancë, për shkak se i dënuari ishte në gjendje shumë të rëndë psikologjike dhe kishte tentuar disa herë vetëvrasjen.
Kësaj here kishte bërë si i sëmurë psikik dhe kur e kishin transportuar me ambulancë kishte filluar të rënkonte e të tërhiqte vëmendjen e policit kryesor. Kur ky është afruar, Paja i ka dhënë një grusht në fytyrë. Më pas ka hapur derën e autoambulancës dhe është larguar me vrap, ku ka kapërcyer një mur të lartë dhe ka ndjekur linjën e trenit. Edhe pse policët kanë qëlluar në ajër, nuk ka ndaluar. Më pas është futur në një pyll dhe është zhdukur.