Tirana
clear sky
22.5 ° C
22.5 °
22.5 °
73 %
0kmh
0 %
Mar
39 °
Mër
41 °
Enj
41 °
Pre
40 °
Sht
34 °
E martë, 27 Korrik, 2021

Gjykata e Prishtinës jep dënimin e parë për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë, ish-polici serb dënohet me 10 vite burg

spot_img
spot_img

Lajme të ngjashëm

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 10 vjet burg, ish-policin serb, Zoran Vukotiç për kryerjen e veprës penale të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ky është rasti i parë që dikush dënohet për një krim të tillë nga gjykatat e Kosovës.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cilësoi dënimin e Vukotiçit si lajm të mirë për të gjitha viktimat e dhunës seksuale të luftës, për qytetarët, por edhe për historinë dhe të ardhmen e Kosovës.

“Drejtësia për krimet e luftës do të bëhet dhe për këtë do të angazhohemi çdo ditë”, tha Haxhiu përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Sipas aktakuzës së ngritur, Vukotiq si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë luftës në Kosovë, më 22 maj 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, në territorin e komunës së Vushtrrisë, ka marr pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe, me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore.

KosovaPress sjell dëshminë ekskluzive të viktimës së Zoran Vukotiq që kujton atë çfarë ngjau 22 vite më parë.

Shënim: Emrat e personave, vendeve dhe datat janë censuruar për shkak se e mbijetuara rrëfehet në kushte anonimiteti.

Një grua rreth të pesëdhjetave, viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, pas më shumë se dy dekadash u përball edhe një herë me njeriun që i shkaktoi vuajtje për tërë jetën. Ajo çfarë i ndodhi iu bë barrë e përditshme, e rrëzoi, por nuk e la të dorëzohet. E lënduar, por ndjenjat nuk lejoi t’i dalin në pah dhe para agresorit e trupit gjykues arriti të thotë të vërtetën e tmerrshme që i ndodhi para 22 vitesh.

Viktima: E kam njohur menjëherë si ka hyrë në gjykatë

“Në momentin që ka hyrë në gjykatë, menjëherë e kam njohur, menjëherë. Nuk jam ndjerë kush e di sa mirë, por jam bërë shumë e fortë, më ka jep Zoti aq shumë forcë sa i kam dalë përballë me shumë krenari. Sa i përket kësaj, unë e di që nuk kam bërë marre diçka, por ajo ka qenë një krim që iu ka ndodhur shumë nënave dhe motrave tona, të cilat sot e asaj dite as nuk guxojnë me përmend. Shumë prej tyre edhe nuk janë, nuk ekzistojnë. Nuk e kanë pasur krejt fatin tim, që me përkrah bashkëshorti, apo dikush”, rrëfen ajo.

B.K, i cili është emër i njohur për redaksinë, mezi merr frymë kur kujton ngjarjen. E kaluara e asaj ia vrau të përditshmen. Ekskluzivisht për KosovaPress rrëfen se si më shumë e deshi veten të vdekur se sa të gjallë.

Viktima: Si shkak i dhunimit kam humbur binjakët meshkuj

“Kam filluar të qaj, por prapë se prapë e kam mbajtur veten, ajo krenaria që nuk kam dashur ai me më pa me lot, edhe të dijë ai që unë aq shumë po vuaj. Sa që ai ka provuar kinse po ndihem keq. Po unë asnjëherë nuk jam kthyer ta shikoj fytyrën e tij, të kriminenelit, i cili më kujtohej sikur atë ditë, sikur para 21 viteve. Unë gjatë luftës kam qenë shtatzënë tremuajshe, në kohën kur më ka ndodhur akti. Pas përfundimit në shtator, i kam humbur dy djem. Edhe e di se më ka ardhur ajo fuqi aty edhe i kam thënë ‘unë i kam humb dy djem shkaku yt, por falë Zotit e kam një luan 20 vjeçar, mos mendo që ma ke tha shpirtin’”, vijon rrëfimin ajo.

Makthi i përjetuar i shfaqet në ëndrra, i kujtohet në mëngjes, në mbrëmje, në rrugë e në shtëpi. Ato nuk mund t’i heq nga koka. Më mirë nuk është as pas janarit, kur ajo u ballafaqua me personin i cili, siç thotë ajo, ia shkatërroi jetën. Gruaja afër të pesëdhjetave, lutet që të mos takohet asnjëherë më me Zoran Vukotiq, shtetasin serb, i cili akuzohet edhe për krime të tjera kundër njerëzimit.

Viktima: Më ka rikthyer në kohën kur ka ndodhur rasti

“Më ka rikthyer qysh në kohën kur ka ndodhur rasti (e përmend datën)… mu duk sikur atë ditë ndodhi. Për mua ka qenë shumë e rëndë, pastaj, por në atë moment jam bërë shumë e fortë, shumë jam bërë e fortë”, shprehet ajo.

Dita e 21 janarit të këtij viti, kur kjo e mbijetuar u përballë me dhunuesin në seancë gjyqësore, u konsiderua historike për organizatat që po merren me trajtimin e tyre tash e dy dekada.

Sipas të dhënave të prezantuara nga institucionet në Kosovë, gjatë luftës së fundit, janë rreth 20 mijë raste të dhunimeve seksuale nga pjesëtarë të forcave serbe.

Më shumë

spot_img
spot_img