Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ka dërguar për gjykim çështjen penale në ngarkim të anëtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Ardian Hajdari, i akuzuar për veprat penale të “fshehjes së të ardhurave” dhe “deklarimit të rremë të pasurisë”.
Sot, Gjykata e Posaçme e ka marrë të pandehur anëtarin e shkallës së dytë të vettingut dhe pritet që me hedhjen e shortit të caktohet dhe data e gjyqit ndaj Ardian Hajdarit. Ai ka refuzuar t’i komentojë akuzat, duke u shprehur se qëndrimet lidhur me këtë çështje “do t’i mbajë para gjykatës”.
Hajdari është kallëzuar penalisht në qershor 2020 nga ish-magjistratët Antoneta Sevdari, Elsion Sadiku dhe Ervin Metalla. Të tre këta ish-magjistratë janë shkarkuar nga vettingu. Sipas kallëzuesve, anëtari i KPA-së ka falsifikuar dokumentet me qëllim që të zgjidhej në Komisionet e Rivlerësimit.
Në kërkesën e SPAK për dërgimin për gjykim të çështjes ndaj Hajdarit, konstatohet se në kohën kur ai ka kryer deklarimin pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave në vitin 2017, ka lënë bosh rubrikën lidhur me të ardhurat e krijuara më parë nga avokatia.
Sipas Prokurorisë, mosdeklarimi i të ardhurave nga aktiviteti i avokatisë nuk është harresë, por është një fshehje e mirëfilltë e kryer për disa vite me radhë. Nga verifikimet e kryera, Hajdari ka përfaqësuar në cilësinë e avokatit dhjetra çështje për disa vite, por nuk i ka deklaruar në tatime të ardhurat e fituara.
SPAK vëren se prej shumë vitesh, Hajdari depozitonte pranë organeve tatimore deklarata tatimore me vlera zero ose ndonjë deklaratë me vlerë të papërfillshme. Po ashtu, nga hetimi ka rezultuar se ai ka mbajtur të njëjtin qëndrim edhe pas kontrollit tatimor të kryer për shkak të kërkesës për çregjistrim, duke pasqyruar një aktivitet me të ardhura thuajse ‘zero’.