Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar zgjatjen e afatit të paraburgimit me tre muaj për Klodian Rrjepaj, Ilir Rrapaj, Marsela Serjani dhe Saimir Kadiut, të katër të arrestuar për koncesionin e “Sterillizimit”, këta dy të fundit ndodhen në "arrest shtëpie".
Por, GJKKO ka pranuar pjesërisht këtë kërkesë të SPAK duke i dhënë kohë vetëm 45 ditë për të mbyllur hetimet për dosjen e “Sterilizimit”. Në njoftimin e bërë nga vetë Gjykata mësohet se afati i paraburgimit për 4 të arrestuarit është zgjatur jo me 3 muaj, por për një periudhë kohore 1 muaj e gjysmë.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 06.02.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Zgjatjen e afatit të paraburgimit me tre muaj për personat nën hetim Klodian Rjepaj, Ilir Rrapaj, Marsela Serjani dhe Saimir Kadiu.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 112 dhe dhe 264 pika 2 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 95, datë 09.02.2024, vendosi:
1) Pranimin pjesërisht të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
2) Zgjatjen e afatit të paraburgimit për një periudhë 1 (një) muaj e 15 (pesëmbëdhjetë) ditë, për personat nën hetim Klodian Rrjepaj, Ilir Rrapaj Marsela Serjani dhe Saimir Kadiu, duke filluar ky afat nga data 17.02.2024 deri në datën 01.04.2024.
3) Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në në Gjykatën e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kujtojmë se ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni që fitoi tenderin e koncesionit të sterilizimit, Ilir Rrapaj ndodhen në paraburgim, teksa po hetohen për koncesionin e sterilizimit në mjekësi. Ilir Rrapaj fituesi i koncesionit 100 mln euro akuzohet për mashtrim dhe se ka njohje me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe me ish-zëvendësministrin, Klodian Rrjepaj.
Sipas SPAK, Rrjepaj akuzohet për veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve” dhe “shpërdorimit të detyrës”.
Në Gusht të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme arrestoi ish-zv/ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, nën akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve në bashkëpunim, lidhur me koncensionin e sterilizimit afro 100 milionë euro 8 vjet më parë.
Si i dyshuar për mashtrim u arrestua dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, i cili fitoi koncensionin në dhjetorin e 2015, me gjithë dyshimet e menjëhershme për korrupsion dhe mosplotësim të kritereve ligjore.
Ndërsa, drejtuesit ekonomikë dhe juridikë të ministrisë së Shëndetësisë, Saimir Kadiu dhe Marsela Serjanaj u lanë në arrest shtëpie.
Sakaq, kujtojmë se ditën e djeshme GJKKO vendosi masën e sekuestros preventive për disa pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, si edhe të disa shoqërive tregtare të cilat janë në pronësi të biznesmenit Ilir Rrapajt.
LEXO EDHE: Rrapaj në burg për “Sterilizimin”, i sekuestrohen kompanitë dhe llogaritë bankare