
Gjykata e Lartë regjistron ankimimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Relatori i çështjes së tij do të jetë gjyqtari Ilir Panda. Në Gjykatën e Lartë, Tahiri kundërshton vendimin e Apelit dhënë më 26 qershor sipas të cilit çështja u rikthye për rigjykim nga e para.
Pasi Gjykata e Posaçme ktheu dosjen e tij për rigjykim, Tahiri lajmëroi se do e çonte në Gjykatë të Lartë. Sipas Gjykatës së Posaçme, Prokuroria ka ngritur akuza të reja për ish-ministrin dhe ka gabuar në rikualifikimin e veprës penale. Madje, sipas Apelit të Posaçëm, Saimir Tahirit dhe ish-drejtorit të Policisë së Vlorës Jaeld Çela nuk u është lënë mundësia të mbroheshin.
Tahiri ishte dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë vetëm për ‘shpërdorim detyre’, akuzë që u konvertua në 3 vite shërbim prove, dhe teksa pritej të shpallej i pafajshëm nga Gjykata e Apelit me vendim të formës së prerë, kjo e fundit e ka kthyer sërish mbrapsht çështjen. Tashmë, ish-ministri do të vazhdojë betejën në Gjykatën e Lartë.