Gjykata e Lartë nuk ka pranuar rekursin e bërë nga ish-kryebashkiaku i Lushnjës Fatos Tushe dhe vartësit e tij, për ndryshimin e masës së sigurisë. Ata kanë kërkuar disa herë për të dalë nga burgu me masë më të lehtë sigurimi, por pasi SPAK “kopsiti” dosjen dhe e dërgoi atë për gjykim, ata ju drejtuan Gjykatës së Lartë.
Referuar njoftimit që mban datën 8 shkurt 2022, Gjykata e Lartë bën me dije se ka vendosur:
“Mospranimin e rekurseve të paraqitura nga personat nën hetim Fatos Tushe , Flamur Peqini, Gazmend Çela, Bektash Nexha, Bujar Murati kundër vendimit nr.24, datë 28.07.2021 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”
Këta ish-zyrtarë akuzohen “shpërdorim detyre” dhe “abuzim me tenderat” dhe prej më shumë se 3 muajsh janë prapa hekurave. Duke qenë se Gjykata e Lartë nuk ka pranuar rekursin, tashmë pritet që të gjithë të arrestuarit të dalin për gjykim dhe të njihen me dënimet përkatëse.
Në masën e sigurisë “Arrest në burg”
- Fatos Tushe – kryetari i Bashkisë së Lushnjes
- Flamur Peqini – drejtor i ndërmarrjes së pasurive publike
- Ibrahim Lami – administrator i “Loti SHPK”
- Bujar Murati – administrator i “Euro alb shpk”
- Gazment Çela – zyrtar i ndërmarrjes së pasurive publike
- Bektash Nexha – zyrtar i ndërmarrjes së pasurive publike
- Blerta Turku – zyrtar i ndërmarrjes së pasurive publike
Në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”
- Xhemal Hasko – zyrtar i ndërmarrjes së pasurive publike
- Margarita Gjermeni – zyrtare e ndërmarrjes së pasurive publike
- Andri Nusho – zyrtar i ndërmarrjes së pasurive publike
- Ani Simoni – zyrtare e ndërmarrjes së pasurive publike
Sipas SPAK, Fatos Tushe dhe shtetasi Flamur Peqini me detyrë drejtor i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në bashkëpunim edhe me zyrtarë e persona të tjerë kanë favorizuar kompaninë “Euro Alb shpk” me administrator shtetasin Bujar Murati në prokurimin për rehabilitimin e kanalit ujitës të fshatit Bishqethëm dhe Bitaj, Njësia Administrative Kolonjë, me fond 28.5 milionë lekë.
Hetimi ka evidentuar se edhe pse kjo firmë është shpallur fituese dhe me të është lidhur kontrata më datë 11 nëntor 2020, ndërkohë që përfitimin dhe punimet në fakt i ka kryer biznesmeni Ibrahim Lami i “Loti SHPK”, i cili është lidhje e ngushtë e kryebashkiakut Fatos Tushe dhe Flamur Peqini.