Pengje mjerane të Edi Ramës i konsideron ish-kryeministri Sali Berisha anëtarët e Gjykatës së Lartë, të cilët këtë të martë kanë rrëzuar kërkesën e tij dhe të dhëndrit Jamarbër Malltezi, për ndryshimin e masave të sigurisë.
Në foltoren e përditshme pranë shtëpisë së tij ku qëndron në "Arrest shtëpie", Sali Berisha ka thënë se nuk priste asgjë tjetër, përveç një akti të turpshëm si i sotmi.
"Sot gjykatësit vasal të Gjykatës së Lartë, pengje mjerane të Edi Ramës zbatuan urdhrat e skapit të partisë dhe u bënë palë me puçin konstitucional, me marrjen e pushtetit nga gjykatës që nuk kanë ligj e as moral dhe vendosën të mos shqyrtojnë apo hodhën poshtë ankesat e avoketërve të mi dhe Jamarbër Malltezit", u shpreh Sali Berisha para mbështetësve të tij.
Duke u ndalur më tej tek funksionimi i Gjykatës së Lartë, ai sulmoi kryetarin Sokol Sadushi dhe tha se ajo vepron në mënyrë identike si seksion i partisë së krimit, Partisë Socialiste.
"Sot kjo gjykatë funksionon në mënyrë identike si një seksion i partisë së krimit, i PS-së. Ata nuk gjykojnë më në salla, nuk gjykojnë më me palë, nuk gjykojnë më me avoketër dhe paditës, ata gjykojnë vetëm me njëri-tjetrin në salla të mbyllura, sikur të ishin koska mafioze të PS-së", vijoi ai.