Svetlana Timofeeva, Mikahil Zorin dhe ukrainasin Fedir Alpatov, janë liruar këtë të enjte nga qelia dhe do të qëndrojnë në masa më të buta sigurie. Afatet e qëndrimit të tyre në paraburgim kanë përfunduar, ndaj njëri është lënë në "Arrest në shtëpi" dhe dy të tjerë me "Detyrim paraqitje".
Mikahil Zorin do të qëndrojë në "arrest shtëpie", ndërsa Svetlana Timofeeva dhe ukrainasi Fedir Alpatov do të mbajnë kontakte me shërbimin e provës deri në përfundim të hetimeve. Atyre u bllokuar pasaportat, për të pamundësuar largimin nga vendi.
Prokuroria e Elbasanit nuk i ka mbyllur ende hetimet për këta shtetas, të cilët u arrestuan në Gusht të vitit të vitit 2022 në uzinën e Gramshit, dhe është duke pritur ekspertizën e pajisjeve teknologjike që ju sekuestruan tre shtetasve të huaj.
Svetlana Timofeeva, 34 vjeç, u arrestua më 20 gusht së bashku me Mikahil Zorin, 23 vjeç dhe ukrainasin Fedir Alpatov, 24 vjeç, pas një incidenti të ndodhur brenda rrethimit të ish-uzinës së armëve në Gramsh. Zorin kundërshtoi dy ushtarakët që tentuan ta ndalonin dhe përdori spray me piper kundër tyre.
Tre të arrestuarit njihen si blogerë dhe janë pjesë e një subkulture të quajtur “Urban Explorer” apo “Urbex”; të apasionuar për të vizituar dhe fotografuar godina të braktisura, përfshi objekte ushtarake të “Luftës së Ftohtë”.
Megjithatë, prokuroria shqiptare i akuzon ata për spiunazh dhe pretendon se treshja kishte ardhur në Shqipëri për të mbledhur informata ushtarake dhe strategjike të sigurisë kombëtare.
Menjëherë pas arrestimit të këtyre shtetasve, Federata Ruse lëshoi një kërkesë për ekstradim ndaj Svetlana Timofeeva, por kjo shtetase refuzoi dhe të njëjtën gjë bënë dhe autoritetet shqiptare. Hetimet për të ishin në vijim, ndërsa vetë Rusia ishte përjashtuar nga zbatimi i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.