Jamarbër Malltezi, biznesmeni i "Homeplan" dhe dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha do të qëndrojë në masën e sigurisë "Arrest në shtëpi" deri në përfundim të hetimeve për tjetërsimin e pronave të ish-kompleksit Partizani në Tiranë.
Ai qëndronte prej ditësh në masë sigurie "Arrest në burg" dhe pas humbjes së betejës në Shkallën e Parë, ka bërë ankimim në Apelin e Posaçëm.
Seanca është zhvilluar dje rreth 7 orë dhe vendimi u caktua të jepej sot. Avokati Genc Gjokutaj u shpreh se masa për Sali Berishën ka mbetur në fuqi dhe ai duhet të paraqitet në gjykatë dy herë në muaj, kurse Malltezi del sot nga qelia dhe do qëndrojë në shtëpi.
Gjokutaj u tregoi mediave dhe një kopje të dosjes së Prokurorisë së Posaçme, duke thënë se ishte e papranueshme që kallëzimi dhe regjistrimi i procedimit penal ka ndodhur në të njëjtën ditë. Sipas tij, ky element tregon se çështja është politike.
"Gjykata shpalli vendimin duke miratuar kërkesën e zotit Berisha dhe duke ndryshuar masën për Jamarbër Malltezin. U caktua masa e sigurisë "Arrest në shtëpi". Kjo është një çështje që mbetet politike. Brenda një dite është depozituar kallëzimi dhe është regjistruar procedimi penal.
Zoti Berisha nuk ka rrezik që të iki, ai dy ditë në javë është në Parlament dhe Prokuroria e kërkon një herë në dy javë. Ajo masë "Detyrim paraqitje" është e padrejtë. Gjykata sot shpalli vetëm dispozitivin.
Ne kemi seancë tjetër, për humbjen e fuqisë. Ne do të shfrytëzojmë të gjitha mjetet ligjore, beteja do të jetë e gjatë. SPAK le të bëjë çfarë të dojë, unë flas për kriterin ligjor. Nuk mund të hipotizoj se çfarë do bëjë SPAK. Sali Berisha nuk largohet (nga Shqipëria).
Rrëzimi (që pretendohet) ka të bëjë me masën e kushtetutshmërisë (detyrim paraqitje) duke shmangur rolin që ai (për deputetët kërkohet miratim në Kuvend). Vendimi i Gjykatës së Apelit është një kopje e keqe e Shkallës së Parë. Pati durim për të dëgjuar por jo për të vepruar", u shpreh avokati i Berishës dhe Malltezit, Genc Gjokutaj.
Vendimi qe Gjokutaj i tregoi medias, kallezimi dhe regjistrimi i procedimit penal ne nje dite