Gjykata e Apelit përgjysmon dënimin për krime lufte ndaj një serbi të Kosovës

Publikuar tek: rajon, më 20:52 01-12-2020 Gjykata e Apelit përgjysmon dënimin për krime lufte ndaj një serbi të Kosovës Hetuesit britanik në fshatin Krushë në qershor të vitit 1999

Gjykata e Apelit në Kosovë, tha të martën se ka përgjysmuar dënimin nga 22 në 11 vjet ndaj Darko Tasiçit, ish pjesëtar i policisë serbe, i cili u shpall fajtor në qershor të këtij viti nën akuzat për krime lufte kundër popullatës civile.

Në një njoftim të Gjykatës së Apelit thuhet se është miratuar pjesërisht “ankesa e mbrojtësve të të akuzuarit D.T” dhe se gjykata “ gjeti se në veprimet e të akuzuarit, të ndërmarra gjatë luftës se fundit në Kosovë, konkretisht ndërmjet datës 25-27 mars 1999, përmbushen të gjitha elementet e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Më 22 qershor, një gjykatë në Prizren, e dënoi të akuzuarin Darko Tasiç, për krime lufte kundër popullatës civile në fshatin Krushë e Vogël të komunës së Rahovecit, rreth 80 kilometra në perëndim të Prishtinës në periudhën ndërmjet 25 e 27 marsit të vitit 1999.

Darko Tasiç ishte arrestuar në nëntor të vitit 2017 ndërsa në prill të vitit 2018 ai u akuzua nga prokurorët për "plaçkitje, shkatërrim me paramendim dhe krim kundër dinjitetit personal dhe njerëzor, shkelje këto të ligjit të vendit si dhe të së drejtës humanitare ndërkombëtare”.

Akuzat ndërlidhen me një sulm në fshatin Krushë e Vogël i cili filloi më 25 mars 1999 nga forcat serbe, përfshirë policinë dhe paraushtarakët, gjatë të cilit, thuhej në njoftimin e prokurorisë “popullata civile u ishte nënshtruar vrasjeve brutale dhe të paligjshme, trajtimit çnjerëzor, vuajtjeve të rënda, ndërrimit të lokacionit dhe zhvendosjes, ushtrimit të masave të frikësimit dhe terrorit, konfiskimit/grabitjes dhe plaçkitjes së pronës, përdhosjes dhe shkatërrimit të trupave të viktimave të agresionit serb, të gjitha këto të kryera gjatë një periudhe dy ditëshe".

I akuzuari dhe mbrojtësit e tij mohuan akuzat dhe u ankuan në Gjykatën e Apelit.

Mbi 110 burra të fshatit Krushë e Vogël, janë vrarë dhe trupat e shumicës janë zhdukur nga forcat serbe. Masakra në këtë fshat vlerësohet si një nga vrasjet më masive që ka ndodhur gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.

Familjarët e të vrarëve e kishin cilësuar të ultë dënimin prej 22 vjetësh për Darko Tasiçin.

Në vitin 2012, misioni i Bashkimit Evropian hapi hetimet për masakrën në fshatin Krushë e Vogël. Atëbotë u tha se prokuroria i ka identifikuar 56 të pandehur të mundshëm të cilët do të përballen me akuza për krime lufte kundër popullatës civile, duke përfshirë vrasjen e gjithsej 113 fshatarëve, dëbimin e të gjitha grave dhe fëmijëve nga fshati, plaçkitjen dhe shkatërrimin e pronës.

Mbi 10 mijë veta u vranë dhe rreth pesë mijë u zhdukën, ndërsa forcat serbe dëbuan mbi 800 mijë shqiptarë nga Kosova gjatë luftës gati dyvjeçare, që mori fund 21 vjet më parë më parë, me hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë.

Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave të zhdukur gjatë luftës, pjesa më e madhe e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare./VOA

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Vrau dhe dogji me Vodka biznesmenin grek, ky është 20-vjeçari shqiptar për të cilin familja e viktimës kërkon që të... (EMRI)
»
Article Logic
Execution time: 0.014063835144043
array(1) { ["section"]=> string(84) "gjykata-e-apelit-pergjysmon-denimin-per-krime-lufte-ndaj-nje-serbi-te-kosoves-229821" }