Mëngjesin e sotëm, rreth orës 08:30-08:45, pranë selisë së PS-së u arrestua Vladimir Gjuta, një personazh i njohur për drejtësinë.
Ai u pikas dhe u kap nga punonjësit e gardës me 120 mijë euro në çantë dhe me një pistoletë me 22 fishekë.
Gjuta kishte bërë lëvizje pranë selisë së PS-së, te rruga e “dollarit”, dhe kjo gjë ngriti dyshime nga punonjësit e gardës, duke qenë se në selinë e PS-së ishte kryeministri Edi Rama, raporton newsbomb.al.
Mjaftoi kjo që mediat të vërshonin me aludime se Gjuta mund të kryente atentat ndaj kryeministrit të vendit.
Ndërkohë i pyetur nga gazetarja Eni Vasili, ish-kreu i Aleancës Kuq e Zi, juristi Kreshnik Spahiu u shpreh se nuk ka prova të mjaftueshme që të bën të mendosh se Gjuta do kryente atentat ndaj Edi Ramës.
“Në lidhje me ngjarjen, unë mendoj që ka dy aspekte. Së pari, provat janë të pamjaftueshme për të thënë që Gjuta ishte përgatitur për atentat ndaj kryeministrit Edi Rama. Edhe policia vetë nuk e ka thënë këtë. Nëse do ta shohim nga ana juridike, mund të them se Gjuta do të dënohet në gjykatë vetëm për armëmbajtje pa leje. Së dyti, a është Shqipëria në kuadrin e atmosferës së atentateve politike? Unë di të them se një atentat mund të kryhet në 4 mënyra:
Nga kundërshtarët politikë
Nga krimi i organizuar
Nga individë të çmendur që duan të hyjnë në histori apo kur vetë politikanët janë të inkriminuar.
Dua të them se në kuadrin e marrëvëshjes politike që këta kanë, krimi është i pafuqishëm që të vrasi politikanët. Nuk mendoj që mund të ketë shkaqe politike për të vrarë Edi Ramën”, tha Spahiu.