Vendimi i Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për të gjobitur me 100 milionë lekë kompaninë celulare "One Albania" ka nxjerr në pah të tjera problematika dhe shkelje që janë kryer ndaj qytetarëve dhe abonentëve të saj.
Një ndër këto problematika është dhe ajo e ndërprerjes së menjëhershme të sinjalit në rast se abonenti nuk paguante detyrimin mujor deri në datën 18-të të çdo muaji, siç operon One Albania.
Kjo problematikë është trajtuar nga Newsbomb.al që prej muajit Prill 2023 dhe në vazhdim, pasi mijëra abonentë në të gjithë Shqipërinë mbesnin pas sinjal, duke u bllokuar karta, nëse nuk e shlyenin detyrimin mujor deri më datë 18-të të muajit.
Lexo edhe: AKEP gjobit me 100 milionë lekë “One Albania”: Tarifa të larta dhe mungesë shërbimi!
Grupi i Inspektimit e ka konstatuar këtë fenomen të përsëritur dhe raporti i ka shkuar Këshillit Drejtues të AKEP, i cili e ka ballafaquar më pas me drejtorin ekzekutiv Brano Durovic.
Në vendim thuhet se kompania celulare One Albania është përpjekur të pengojë inspektimin dhe ka vënë në dispozicion të grupit të AKEP materiale jo të plota, ndërsa drejtori ekzekutiv ka pretenduar se detyrimet kontraktore mes pajtimtarit (abonentit) dhe sipërmarrësit (One Alabania) nuk duhet të ishin pjesë e inspektimit.
Shkeljet e One Albania, konstatuar nga inspektimi i AKEP
Mirëpo, në përgjigje Këshilli Drejtues i AKEP e ka vënë drejtorin ekzekutiv të One Albania, Brano Durovic përballë kërkesave të legjislacionit shqiptar, shkruan Newsbomb.al. Konkretisht Neni 109 i ligjit 9918/2008, përcakton se:
"[...] Nëse pajtimtari nuk përmbush detyrimet kontraktore brenda afatit kohor të përcaktuar në faturë, sipërmarrësi është i detyruar t’i dërgojë pajtimtarit një njoftim me shkrim ose në një formë tjetër që është parashikuar dhe pranuar në kontratë nga pajtimtari, duke vendosur afatin kohor prej jo më pak se 15 ditëve për të përmbushur detyrimet kontraktore.
Ky njoftim me shkrim duhet ta informojë pajtimtarin për kushtet përkatëse kontraktore, në veçanti për kufizimin, ndërprerjen e shërbimit apo ndërprerjen e kontratës dhe procedurat për zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Sipërmarrësit nuk duhet të veprojnë në përputhje me pikën 1 të këtij neni para afatit kohor të përcaktuar në njoftimin me shkrim.”
Lexo edhe: E paralajmëroi Newsbomb.al, AKEP: “One Albania” të rishikojë menjëherë sistemin B/00S
Këtë gjetje e ka konstatuar dhe Grupi i Inspektimit, sepse One Albania jo vetëm që nuk ka respektuar afatin kohor që përcakton ligji, por të nesërmen e datës 18-të që duhej paguar fatura, abonentëve u është ndërprerë sinjali.
Për pasojë, qytetarët nuk mund të merrnin as thirrje hyrëse e as dalëse, por vetëm modalitetin e emergjencës.
Ajo që e bën më të rëndë këtë fakt është se vetë kompania celulare "One Albania" e ka përfshirë këtë nen të ligjit shqiptar në marrëveshjen kontraktuale me abonetët, por me vetëdije e ka shkelur duke mos marrë parasysh dëmet, si më poshtë:
"Nëse Pajtimtari me paspagim dhe hibrid nuk përmbush kushtet e përgjithshme të kontratës, ONE Albania ka të drejtë dhe është e detyruar t’i dërgojë një njoftim, me shkrim, brenda një intervali kohor 15 (pesëmbëdhjetë) ditor, duke i njoftuar kohën e arsyeshme brenda së cilës ai duhet të përmbushë detyrimet si dhe duke e paralajmëruar për masat kufizuese që mund të ndërmarrë ONE Albania në rast mosndalimi të shkeljeve kontraktore. Pajtimtari detyrohet të paguajë të gjitha detyrimet e tij për kohën e ndërprerjes së shërbimeve në rrjet."
Shkeljet e One Albania konstatuar nga AKEP
// Newsbomb.al