Avokatët kanë dorëzuar në gjykatën e Apelit ankimimin për masën e sigurisë “arrest shtëpie” me mbikqyrje ndaj ish kryeministrit Sali Berisha në hetim lidhur me aferën e privatizimit të kompleksit sportiv Partizani.
Ankimimi është bërë brenda afatit pesëditor që thotë ligji, ndërsa ish-kryeministri prej katër ditësh ndodhet nën masën “arrest shtëpie”.
Kujtojmë se në 30 dhjetor GJKKO pranoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, duke caktuar masën “Arrest Shtëpie” për Sali Berishën, teksa gjyqtare ka qenë Irena Gjoka, për të cilën avokatët e liderit të PD-së kërkuan përjashtimin e saj.
Siç dihet, SPAK kishte kërkuar masë më shtrënguese për ish kryeministrin, pasi ky i fundit nuk iu bind vendimit të parë për detyrim paraqitje. Ish-kryeministri Sali Berisha është në hetim për korrupsion pasiv nga funksionarë të lartë, vepër penale e kryer në bashkëpunim.
Lexo edhe: Merret vendimi nga GJKKO, Sali Berisha lihet në arrest shtëpie
“Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: Rruga “Mustafa Matohiti”, Ndërtesa 36, Hyrja l, Nd. 036, Njësia Administrative nr. 2, Tiranë si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të.
Për ekzekutimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfaqësuar nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.
Mbikëqyrja e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si dhe urdhërimeve të përcaktuara në këtë vendim të kontrollohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, - thuhej ndër të tjera në vendimin e GJKKO-së më 30 dhjetor 2023.