Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 127 vite burg në total 5 nga të akuzuarit për vrasjen e Behar Sofisë. Bëhet fjalë për Leonard Xhixhën, Bujar Lezën, Skënder Vathin, Xhuljano Vishën dhe Ernejt Shytin.
Ky i fundit ka vendosur të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë, duke rrëfyer një sërë detajesh të rëndësishme që besohet të kenë ndihmuar hetimet. Të lartpërmendurit akuzohen për vrasje me paramendim, armëmbajtje pa leje dhe grup të strukturuar kriminal.
Burime për mediat bëjnë me dije se Ernejt Shyti u dënua me 7 vite burg, ndërsa Bujar Leza, Xhuliano Visha, Skënder Vathi dhe Leonard Xhixha nga 30 vite burg secili.
Ekzekutori, Ernejt Shyti u arrestua në Mal të Zi 2 javë pas atentatit ku u vra Behar Sofia. Në dëshminë e dhënë në GJKKO, ai ka treguar me detaje rolin e të pandehurve të tjerë duke rrëfyer se do të paguhej me 5 milionë lekë. Ndërsa pas tij u arrestuan edhe bashkëpunëtorët e tjerë Xhuljano Visha, 28 vjeç, Leonard Xhixha, Bujar Leza dhe Skënder Vathi.
Ky i fundit dyshohet si organizator i atentatit që i mori jetën Behar Sofisë. Ndërsa personi që dyshohet se dha urdhrin për ekzekutimin e Behar Sofisë, Jemin Shera, është ende në kërkim.
Behar Sofia, i njohur dhe me emrin Fatmir Sofia, ekzekutua mëngjesin e 21 shkurtit të vitit 2021 në mes të Tiranës, pranë Piramidës. 66 vjeçari u gjet i shtrirë në rrugë dhe i gjakosur. Behar Sofia nuk është një emër i panjohur për Policinë pasi është përfshirë në disa ngjarje kriminale.
Ai njihej me nofkën “Padrino i drogës”. 66 vjeçari është qëlluar me një armë me silenciator pasi kalimtarët e rastit nuk kanë dëgjuar zhurma.