Deputeti socialist Damian Gjiknuri është duke dëshmuar në Komisionin Hetimor Parlamentar për Inceneratorët.
I pyetur nga kryetarja e Komisionit Jorida Tabaku, nëse njeh tre personat e shpallur në kërkim nga policia si të përfshirë në të ashtuquajturën aferë të inceneratorëve.
Gjiknuri tha se Stela Gugalljan nuk e njeh, Mirel Mërtirin e njeh si fytyrë, ndërsa me Klodian Zoton është takuar disa herë.
Pjesë nga Dëshmia e Gjiknurit:
Në lidhje me shtetasit që përmendët, zonjën nuk e njoh, zotin Mërtiri e njoh si fytyrë, se varet çfarë cilësoni me njohje. Zotin Zoto e kam takuar disa herë, në cilësinë e ministrit kur kam vajtur kam vizituar impiantin e Elbasanit në vitin 2017. E kam takuar edhe njëherë në zyrë, në lidhje me një investim, që ka pasur një plan për një fabrikë qelqi, nuk e di çfarë ndodhi me të. Dhe më ka qëlluar në jetë që të punoj me të në vitin 2001, në Ministrinë e Mbrojtjes, kur unë kam qenë Sekretar i Përgjithshëm dhe ai ka qenë koordinator në zyrën e kabinetit të ministrit të atëhershëm.
Por dua të shpjegoj, këto janë njohje që nuk kanë të bëjnë me lidhje shoqërore, as me lidhje të afërta. Janë njohje rethanore dhe unë kam filluar punë që në vitin 1994 në administratën shqiptare. Kam 28 vjet punë, duke qenë dhe avokat privat dhe konsulent, dhe sipërmarrës në një kohë. Kam qenë edhe anëtar kryesisë së dhomës së tregtisë, 2006-2009 dhe jeta më ka bërë që të njoh shumë biznesmenë. Por dua të ndaj lidhjet shoqërore dhe afërsinë nga lidhjet që i kam njohur për shkak të punës, detyrës, unë jam një politikan që njoh shumë njerëz. Njoh dhe Lulzim Bashën që 16 vjeç, jo vetëm te gjimnazi Sami Frashëri por edhe në Holdanë ku na ka qëlluar të jemi studentë, por kjo nuk na bën të kemi konflikt politik.