Hapësire reklamuese

Politikë

Gjiknuri i përgjigjet Bylykbashit e Vasilit: Për 3 muaj u kërkuam të na sillnin shembullin e një vendi europian dhe nuk e sollën, sot na paskan ‘zbuluar’ modelin italian

Shkruar nga Newsbomb

Përfaqësuesi i mazhorancës në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri i është përgjigjur përfaqësuesve të opozitës së bashkuar, Oerd Bylykbashit dhe Petrit Vasilit për sa i përket sistemit zgjedhor.

Ai thotë se për 3 muaj i është kërkuar opozitës të sjellë në Këshillin Politik një shembull të një vendi evropian, anëtar të OSBE-së, që zbaton sistemin proporcional rajonal me lista të hapura dhe me koalicione të përbëra siç ata i dëshironin.

Por sipas Gjiknurit, opozita nuk e gjeti shembullin për 3 muaj, ndërsa vendosi që disa orë para seancës parlamentare kur do të shqyrtohen dhe miratohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor të tentojnë të hedhin hi syve të publikut, ku deklarojnë se në fund të tunelit kanë "zbuluar" modelin italian.

Gjiknuri shprehet se sistemi që përdor Italia nuk ka lidhje me atë shqiptar, ndaj nuk mund të zbatohet në vendin tonë.

Reagimi i plotë:

Tre muaj rresht, në çdo komunikim zyrtar, në çdo deklarim publik, në çdo mbledhje të grupit negociator të Këshillit Politik i kërkuam opozitës jashtëparlamentare të na sillte në tryezë qoftë edhe vetëm një shembull të një vendi evropian, anëtar të OSBE-së, që zbaton sistemin proporcional rajonal me lista të hapura dhe me koalicione të përbëra siç ata i dëshironin. Pas 3 muaj kërkimesh të dështuara, përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, pak orë përpara seancës parlamentare kur do të shqyrtohen dhe miratohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor tentojnë të hedhin hi syve të publikut. Deklarojnë se në fund të tunelit kanë "zbuluar" modelin italian. A ka njeri ta besojë se këtyre u kishte shpëtuar padashje e jashtë vëmendjes një model i një vendi mik e fqinj dhe e zbuluan ditën e fundit? Natyrisht që jo! Ata e dinë shumë mirë por thjesht duan të kryejnë tentativën e fundit të dëshpëruar për të penguar e zvarritur reflektimin e ndryshimeve Kushtetuese në Kodin Zgjedhor dhe të lajnë duart si Ponc Pilati. Për hir të transparencës ndaj opinionit publik, modeli italian është me dy dhoma e miks, pra mazhoritar 1/3 dhe proporcional me lista të mbyllura 2/3 e vendeve. Dukshëm nuk ka lidhje me sistemin që zbaton Shqipëria, proporcionalin rajonal me lista të hapura. Edhe diçka e fundit, për të mos i besdisur qytetarët këtë mbrëmje të diele me debate politike. Meqenëse kërkesa e opozitës parlamentare, e pranuar nga mazhoranca, për lejimin e vendosjes së kryetarit të partisë apo kryetarit të partisë udhëheqëse të koalicionit në listë njëkohësisht në 4 zona zgjedhore u cilësua antidemokratike dhe duke qenë se opozita jashtëparlamentare ka “zbuluar” pas 3 muajsh modelin italian, i ftoj të lexojnë legjislacionin e vendit fqinj mik për të kuptuar se atje ka raste që u lejohen kandidatëve të garojnë edhe deri në 5 zona. Bashkëlidhur gjeni pjesë nga prononcimi im i datës 28 Korrik 2020

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll