
U lind dhe u rrit në Pogradec, dhe nuk mund ta harrojë kurrë qytetin që i dha aq shumë nga kultura e tij, ndaj vendosi t’i kthejë një borxh të vogël.
Gjimnazi i Pogradecit ku mësojnë rreth 700 nxënës kishte vetëm 6 kompjutera, të pamjaftueshëm për një numër aq të madh studentësh, ndaj studiuesi Erald Kapri vendosi që t’i dhurojë disa shkollave të këtij qyteti 60 kompjutera.
Së bashku me një mikun e tij të shtrenjtë filantrop, siç thotë ai, në shkollat “Muharrem Çollaku”, “Gjergj Pekmezi”, “Enver Qiraxhiu” dhe “Servet Agolli” u shpërndanë 60 kompjuterat, ndërsa puna do të vazhdojë dhe do të vihen në dispozicion kompjutera të tjerë në shkollat të tjera të Pogradecit dhe në Mokër.
“Sot i ktheva një borxh të vogël këtij qyteti që më ka dhënë shumë nga kultura e tij dhe më ka mbrujtur me dashurinë për librat e investimin në arsim. Pikërisht ky është drejtimi në të cilin duhet punuar dhe ku ia vlen të investohet çdo qindarkë. Pa një brez të mirëarsimuar, nuk mund të ketë shpresë e as të ardhme”, shkruan ndër të tjera studiuesi, që nuk harron të falenderojë edhe miqtë që e mbështetën.
Ndoshta plotësimi me kompjutera i shkollave duhet të ishte punë e institucioneve përgjegjëse, por atë që nuk e bënë këto institucione e bëri një qytetar i thjeshtë, që nuk e harron vendlindjen.
Gjeste të tilla janë shembuj që duhen ndjekur nga biznesmenë dhe politikanë shqiptarë, që brezi i së nesërmes të jetë i gatshëm për të marrë në dorë vendin tonë.
Postimi i plotë:
“U KRY! Si pjesë e një brezi të ri studiuesish, rritur në qytetin e Lasgushit dhe Mitrushit nuk mund të rrija duarkryq kur mësova se gjimnazi më i madh i Pogradecit, ku po marrin edukim e mësim 700 nxënës, ka vetëm 6 kompjutera, mjet kaq shumë i nevojshëm studimor në ditët e sotme, ku dija dhe dëshira për eksplorim është e pakufijshme.
Me ndihmën e një miku të shtrenjtë filantrop, sot u mundësuan 60 kompjutera për nxënësit e Pogradecit në shkollat “Muharrem Çollaku”, “Gjergj Pekmezi”, “Enver Qiraxhiu” dhe “Servet Agolli”. Të tjerë kompjutera në vazhdim do vihen në dispozicion për shkollat e tjera në qytet dhe Mokër.
Sot i ktheva një borxh të vogël këtij qyteti që më ka dhënë shumë nga kultura e tij dhe më ka mbrujtur me dashurinë për librat e investimin në arsim.
Pikërisht ky është drejtimi në të cilin duhet punuar dhe ku ia vlen të investohet çdo qindarkë.
Pa një brez të mirëarsimuar, nuk mund të ketë shpresë e as të ardhme! Një falenderim për dy miqtë e mi, Fatmir Lamçen dhe pogradecarin Alban Berberi.