Deputetët gjermanë votuan me një shumicë të theksuar rezolutën që pranon ushtrimin e gjenocidit kundër armenëve në periudhën otomane.
Kjo projektrezolutë ngjalli pakënaqësinë e Ankarasë, partnere kyçe në këtë çështje të vështirë, por edhe mjaft të rëndësishme në periudhën e një krize si ajo migratore në Evropë.
“Vetëm një deputet votoi kundër dhe një tjetër abstenoi gjatë procesit të votimit”, bëri të ditur presidenti i Dhomës së Ulët, Norbert Lammert. Procesi i votimit u zhvillua i hapur me ngritje të dorës, ndërkohë që votat pro projektrezolutës nuk u numëruan.
Kancelarja Angela Merkel nuk ishte e pranishme në sallë gjatë votimit.
Menjëherë pas miratimit në Budenstag, Ankaraja ka thërritur për konsultime ambasadorin e saj në Berlin.
Kryeminsitri turk Binali Yildirim tha se "Ky ishte një vendim i gabuar. Historia e kombit turk është e qartë. Ky është një komb që krenohet me të kaluarën e tij. Nuk ka asnjë ngjarje në të kaluarën tonë që ta bëjë atë të skuqet, apo të ulë kokën".
Ndërsa presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi: “Vendimi i Parlamentit gjerman në masë të madhe do të ndikojë në marrëdhëniet mes Turqisë dhe Gjermanisë. Pas kthimit në Ankara do të shqyrtojmë hapat tonë të ardhshëm”.
Rreth 1.5 milionë të krishterë ortodoksë, shumica armenë, u vranë në vitin 1915, kur Perandoria Osmane po shpërbëhej përfundimisht.