Djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, nuk është paraqitur ditën e sotme në seancë për të dëshmuar lidhur me ngjarjen “ Gërdeci”.
Burime për mediat bëjnë me dije se GJKKO-së nuk i ka ardhur njoftimi që Shkëlzen Berisha ka dijeni për thirrjen. Për këtë arsye SPAK i ka vënë GjKKO-së një tjetër adresë në dispozicion për të ripërsëritur thirrjen për djalin e ish-kryeministrit Berisha.
I pranishëm në këtë seancë ka qenë ish-ministri i Mbrotjes Fatmir Mediu i cili ka ritheksuar para gazetarëve edhe njëherë qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje.
Mediu tha se nuk ka bërë asgjë më shumë, përveç detyrës së tij, duke theksuar më tej se qëndrimi i tij ka qenë i prere dhe urdhërues që duhet të procedoheshin penalisht dhe administrativisht të gjithë ata që kishin shkelur ligjin.
"Unë dua që të dalë e vërteta e gjithë këtij procesi. U provua që Fatmir Mediu ka vepruar në respekt të ligjit dhe po ashtu ka pasur marrëdhënie korrekte me strukturat civile të ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtarake. Nuk ka pasur asnjë reklamim tek ministri i Mbrojtjes për problemet që mund të kishte në Gërdec. U vura në dispozicion sot edhe një dokument të policisë ushtarake se përpara se të fillonte ky demontim kishte filluar punimet kompania për të prishur objektet në mënyrë të paligjshme. Qëndrimi im ka qenë i prere dhe urdhërues që duhet të procedoheshin penalisht dhe administrativisht të gjithë ata që kishin shkelur ligjin. Unë kam thënë që do paraqitem në çdo seanca, por le ti themi gjërat siç janë. Ky demontim ishte domosdoshmeri ishte çështje sigurie, detyrim ligjore, ishte çështje e kërkesave ndërkombëtare.
Unë kam bërë detyrën time në përputhshmëri me këto akte. Meqe është ngritur akuza që ministri ka krijuar dëm ekonomik, bazuar në disa fakte që janë aludime, që transporton duhet ta paguanin FA dhe nuk e ka vendosur ministri në urdhër. Nuk ka asnjë ministër që të thotë se kush e paguan transportin. Tjetra që është e rëndësishme, dua t’ju them që në Ministrinë e Mbrojtjes transporti është bërë nga FA", tha Mediu,
Ndërkohë, avokati i Mediut pas përfundimit të seancës tha se nga dëshmitë e deri më tanishme ndaj klientit të tij, ka ndryshim kilometrik.
“Ata që janë pyetur për ne kanë ndryshuar gur kilometrik. Ajo çka prezumohet në aktin e ekspertimit. I biri i të ndjerit ka thënë se nuk ka një karrocë të salduar atë ditë pasi do ta kishte vënë re nga oborri i banesës së tij. Ka momente të rëndësishme të ushtarakëve të lartë veçanërisht sa u takon subjekteve që unë përfaqësoj gjatë kohës që z.Mediu ka qenë në detyrën e ministrit”, tha avokati.
GJKKO thirri sot si dëshmitarë ,Shkëlzen Berishën, ish-ministrin e Drejtësisë, Aldo Bumçin dhe pesë persona të tjerë. SPAK ka dyshime se Shkëlzen Berisha ka patur telefonat menjëherë para edhe pas shpërthimit në Gërdec. Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, SPAK i komunikoi më 10 janar 2023 ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu akuzat lidhur me përgjegjësinë e tij në ngjarjen tragjike të vitit 2008 në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me inciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur.