Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Gentiana Sula - Një grua përballë 50 viteve sekretesh të diktaturës

Shkruar nga Newsbomb

Nga Fatmira Nikolla

Kur Gentiana Sula mori detyrën si kryetare e Autoritetit të Dosjeve vite më parë, institucioni ekzistonte vetëm në letër. Skeptikët ishin kundra hapjes së tyre, ndërsa familjet e viktimave dhe ish të dënuarve, ishin të trembur nga baltosja përsëdyti ngaqë dosjet tregonin vetëm versionin e Sigurimit. Megjithatë, ‘kujtesa’ e policisë sekrete të komunizmit nuk mund të ishte më sekrete dhe mitet e imponuara do të zhbëheshin. “Mendoj se kemi thyer shumë tabu, e një prej tyre, ishte tabuja e mbivlerësimit të rolit të Sigurimit të Shtetit në mbrojtje të interesit kombëtar”, thotë Gentiana Sula ndërsa në duar mban fotografinë e Irina Vangjel Lezhos, një vogëlusheje që e humbi të atin në diktaturë për të mos e gjetur kurrë. Imazhi i vogëlushes bart gjithë trishtimin e një fëmije që u rrit pa babain, ndërsa harta e kampit të Spaçit shenjon kufijtë e ecejakeve të tij në vitet e fundit të jetës.

7 vite pas themelimit, Autoriteti i Dosjeve është konsoliduar dhe me ndryshimet e fundit ligjore, institucioni merr përsipër të kordinojë procesin e kërkimit të eshtrave të të zhdukurve në diktaturë, siç është edhe rasti i gazetarit Vangjel Lesho që u pushkatua në maj 1979.

“Mbajtja e dokumenteve sekrete është metodë politike për ta tkurrur ose për ta ngrirë konfliktin shoqëror”, thotë Gentiana Sula ndërsa rindërton udhëtimin e AIDSSH-së nga ngritja e institucionit te sfidat e reja. Deklasifikimi dhe hapja e dosjeve, digjitalizimi i tyre, marrja e dëshmive të të mbijetuarve për vendet e vuajtjes së dënimit,  rehabilitimi i viktimave, platformat informuese për grupmosha të ndryshme me vëmendje të shkollat dhe të rinjtë, janë disa prej tyre.  Korridoret e AIDSSH-së kanë stendat e ekspozitës për të zhdukurit ndërsa nëpër mure, shihen shkencëtarët e përndjekur si dy anë të një shoqërie totalitare kur liria është e ndaluar.

Një letër me shkrim dore dhe nënshkrimi në fund mund të jetë gjithë vullneti i mbramë i një njeriu. Ose vullneti që e detyruan të ketë. Kur mbyll kapakët e dosjeve dhe e tret vështrimin matanë dritareve duke dashur t’u ikësh dokumenteve, sheh një shoqëri që refuzon të pranojë të shkuarën e vet. Por a është kjo mënyra e duhur?

“Një konflikt shoqëror mund të qëndrojë i ngrirë me metoda të ndryshme politike, se shoqëria nuk është e gatshme të përballet për shkak se ka traumë kolektive shumë të madhe, por sado kohë të kalojë, konflikti i ngrirë, nëse një moment thyhet, mund të prodhojë efekte zinxhir për shkak të traumës kolektive”, thotë Sula duke sjellë në vëmendje përvoja europiane që duhen huazuar. Po aq ajo kërkon të vëre në dukje nevojën për qasje konverguese mbi ngjarjet ndërsa përçarja bart ende luftën klasore.

Në një botim të veçantë  të “Newsbomb” për Spaçin dhe revoltën në 50-vjetorin e saj, Gentiana Sula ndalet në nismat dhe projektet që do të hedhin dritë mbi historitë e atyre që nuk lanë të rriten a të plaken, të shkuarën e mohuar, heshtjen, fshehjen e sekretet e dosjeve ku shkruhej jeta jonë e fshihej jeta jonë.

- Prej vitit 2016 në krye të Autoritetit të Dosjeve. Si kanë qenë këto vite mes dokumenteve dhe rrekjes për të treguar anën tjetër të narrativës komuniste?

Këto kanë qenë vite të sprovës shumëfishe. Vetë ngritja e institucionit ka qenë sprovë, siç mund të kuptohet kur krijohet diçka për herë të parë. Një tjetër problem ishte përballja me skeptikët që mendonin se dokumentet sekrete nuk duhet të hapeshin dhe se kjo krijonte terren për debat publik që mund të prekte kufijtë e konfliktualitetit. Nga ana tjetër, kishte një grup që ndjenin shqetësim mbi keqpërdorimin e të dhënave personale, selektivitetin e përdorimit ose edhe riviktimizimin e atyre që nuk jetojnë më. Disa besonin se mbyllja - ishte zgjidhja, asgjësimi i dokumenteve - ishte zgjidhja, apo mosleximi i dokumenteve - ishte zgjidhja. Pra nga njëra skeptikët, nga ana tjetër rezistentët.

Kemi thyer shumë tabu, e një prej tyre, ishte tabuja e mbivlerësimit të rolit të Sigurimit të Shtetit në mbrojtje të interesit kombëtar te demokracisë sonë sot, që rezulton se nuk ishte relevante ashtu sikundër, edhe frika nga ndonjë hakmarrje.

Besoj se të gjitha këto janë tejkaluar, duke pasur mbështetje nga një kuadër ligjor dhe administrativ i pjekur, si dhe nga humanizmi i të mbijetuarve të regjimit, të cilët i patën përqafuar vlerat euroatlantike prej brezash.

- Nga ngritja e një institucioni për herë të parë, në një institucion të konsoliduar sigurisht ka sfida, mes të cilave vetë menaxhimi i dokumentacionit. Si do ta përshkruanit këtë udhëtim?

Sfida kryesore ka qenë sfidë menaxheriale. Së pari, përpjekja ishte e vazhdueshme për burime: për arkivën, për infrastrukuturë të përshtatshme, për staf të specializuar që do ishte në gjendje të menaxhonte sekretet e një shteti 50- vjeçar, duke pasur kompetencat ligjore dhe formimin e duhur. Po ngrihej një institucion që duhej të kishte mundësi të punonte me institucione të tjera sepse qasja për kujtesën është gjithmonë multidisiplinore dhe ndërinstuticionale, dhe duheshin thyer edhe barrierat institucionale dhe ato kufitare. Sigurimi i Shtetit ishte tipar i një shteti të izoluar, e kundërta e një institucioni që po ndërtohej. Identifikimi dhe marrja e dokumentacionit, ruajtja dhe gradualisht deklasifikimi e përdorimi i tij ishin sfidat e fillimit, që sot i kemi tejkaluar.

Sfidë tjetër ishte ajo ligjore. Ndonëse institucioni u ngrit mbi një bazë ligjore të re e të avancuar sipas modeleve më të mira ndërkombëtare, u pa se ishte e nevojshme që fryma e ligjit të përçohej edhe në ligje të tjera. Ligji i dekoratave tashmë ka ndryshuar, ligji i muzeve nevojitet po ashtu të ndryshojë, sikurse dhe disa ligje të karakterit rehabilitues të viktimave të diktaturës, duke i dhënë peshë Autoritetit të Dosjeve në kujtesë aktive dhe kujdesin ndaj personave të prekur.

Vetë ligji bazë i AIDSSH-së ka ndryshuar dy herë, sepse gjatë zbatimit të tij, doli nevoja për kompetenca shtesë. Duhet mbajtur parasysh se në vende të zhvilluara si Gjermania, Hungaria apo Polonia, ka pasur institucione më të avancuara që funksiononin në ansambël dhe i kanë plotësuar detyrat që i kanë dalë arkivës së policisë sekrete, ndërsa AIDSSH po përshtat hap pas hapi mënyrën se si ta plotësojë misionin e vet sa më mirë.

- Më se 3 dekada nga rënia e regjimit ndërsa punoni me zbardhjen e së shkuarës dhe ndërgjegjësimin mbi të, sa të prirur e shihni shoqërinë për t’u përballur me veten dhe të djeshmen e saj?

Kujtesa nuk është vetëm një vizatim i  historisë në një moment të caktuar, në këndvështrime më intime - vetiake, familjare apo të grupit.  Kujtesa është edhe reflektimi që bëjmë ne si shoqëri, si individë, si familje, si institucione. Mund të thuhet që kujtesa është një proces i vazhdueshëm dhe dinamik. Nga Shqipëria komuniste trashëgojmë historiografi të njëanshme të bazuar në censurë e propagandë, pasuar dhe me mbyllje të arkivave sekrete gjatë tranzicionit, që kontribuoi në dezinformim të tejzgjatur, duke ndikuar në cungim dhe shformim të kujtesës. Prandaj hapja e arkivave sekrete u prit me interes të gjerë.

Ngrirja e kujtesës për shumë kohë nuk ka ndodhur vetëm në Shqipëri. Një shoqëri si e Spanjës, përshembull, e trajton edhe pas një shekulli trashëgiminë e luftës civile të Frankos përmes një ministrie të kujtesës demokratike. Ajo që theksojnë ekspertët ndërkombëtarë në rastin e Spanjës, është se një konflikt shoqëror mund të qëndrojë i ngrirë me metoda të ndryshme politike, apo se shoqëria nuk është e gatshme të përballet për shkak se ka traumë kolektive shumë të madhe, por sado kohë të kalojë, konflikti i ngrirë në një moment thyhet, dhe mund të prodhojë efekte zinxhir të padëshirueshëm, si përçarja, ekstremizmi etj. Mësime të ngjashme mund të nxirren edhe nga Irlanda, apo vendet e bllokut ish-komunist.

Mendoj se në Shqipëri nuk ka reshtur kujtesa kombëtare demokratike, por mund të them që kjo  ka ndodhur e fragmentarizuar, ku grupe të ndryshme kanë pasur qasje të ndryshme. Ndërkohë që grupet e interesit, familjet e prekura nuk kanë pushuar së qënuri aktiv mbi çështjen, ka pasur grupe të caktuara të tjera, që nuk kanë qenë fare në dialog me to; ndaj shoqërisë i kanë munguar instrumentet për ta bërë në mënyrë të rregullt, të vazhdueshme e sistematike përballjen me të shkuarën, dialogun e kujtesën, si reflektim të përditshëm vetëkorrigjues dhe vetënjohës. Mbajtja e dokumenteve sekrete është metodë politike për ta tkurrur, ose për ta ngrirë konfliktin shoqëror.

Mosnjohja me dokumentin, krijon një lloj pasigurie dhe e drejton në mënyrë jo konvergjente trajtimin e ngjarjeve, aq sa disa ngjarje duken si të patrajtueshme. Ndaj ndodh që për të njëjtën ngjarje, kemi perceptime krejt të ndryshme e përçarëse në grupet shoqërore. Në një farë mënyre, përçarja e dikurshme e luftës së klasave, mund të krijojë stereotipe të padëshirueshme në shoqëri.

Ndaj AIDSSH, që jo vetëm i disponon dokumentet, por edhe i deklasifikoi masivisht çon drejt transparencës. Hapja e dokumentacionit sekret ka bërë të ndjehet një lloj rreziku nga grupi shoqëror i prekur (mbi perceptimin që dokumentet krijojnë), sepse në ato dokumente, mungon zëri i viktimave, duke qenë se janë dokumente të shkruara e prodhuara në mënyrë sekrete nga ish Sigurimi i Shtetit. Viktimat nuk ishin në dijeni dhe gjurma e ekzistencës së tyre në ngjarje të caktuara përcillet përmes këndvështrimit të Sigurimit në dokumentacion e shoqëruar me elemente të dhunës, të indoktrimit e mungesës së informimit. Viktimat, të përndjekurit, kanë qenë gjithmonë të shqetësuar për faktin se dokumenti nuk është i plotë e nuk është i saktë, ndaj nuk është i drejtë- duke qenë se ato pasqyrojnë vetëm qëndrimin e Sigurimit dhe dëshmive të marra nga aparati i dhunës.

AIDSSH ia ka dalë të krijojë ura të komunikimit me grupet e interesit dhe të dhëna të tjera që ofrojnë anën tjetër të narrativës së dokumenteve të Sigurimit të Shtetit.

Natyrisht që ka pasur një kuadër ligjor të përcaktuar mirë që e mundëson tërheqjen e mendimit të personave që lidhen me dosjet. E para, sepse ato mund ta kontestojnë/sfidojnë vërtetësinë e saktësinë e të dhënave që përmban një dokument, por edhe në mungesë të këtyre fakteve dhe provave, mendimi i tyre dhe opinioni mund të merret dhe ju bashkangjitet dokumenteve të Sigurimit të Shtetit.

Mund të them se në rastin e Kampit të Tepelenës, ka qenë shumë e rëndësishme të merret mendimi i personave që kanë jetuar aty, versioni i tyre, rrëfimi i tyre. Kjo na ndihmoi, megjithëse pas shumë kohësh, në kushtet e mungesës së dokumentacionit të rëndësishëm, që përmes narrativës së viktimave, të krijohet një përfytyrim i plotë i kampit dhe mënyrës së funksionimit. Përmes tregimeve, përmes vizatimeve e historive familjare, u zbardhën edhe shkaqet politike që sollën internimin e familjeve në këto kampe dhe u krijua një kuadër gjithnjë e më i plotë për to.

E njëjta gjë në raport me kampin e punës së detyruar në Spaç, ku ne tani po përkujtojmë 50-vjetorin e revoltës. Kemi marrë rreth 45 dëshmi audio-vizuale të personave që jetojnë akoma sot e që kanë qenë të dënuar në Spaç dhe subjekte të punës së detyruar. Për Spaçin është folur shumë dhe ka ish të dënuar të njohur që kanë dhënë dëshmi, si Visar Zhiti që ka qenë edhe ministër, Fatos Lubonja që është publicist e aktiv në media, Maks Velo përmes veprave, po ashtu. Megjithatë, ne morëm dëshmi që plotësojnë të dhënat për revoltën dhe jetesën në kamp, u mblodhën artefakte dhe kjo bën që shoqëria të informohet gjithnjë e më mirë.

Shpesh kërkesa e shoqërisë për të ditur më shumë, buron edhe nga mundësitë e një institucioni për të ofruar fakte dhe narrativa të besueshme, dhe me sa kam parë, shoqëria e ka mirëpritur transparencën, paanshmërinë, besueshmërinë, rigorozitetin akademik. Mbetet gjithnjë sfida e përcjelljes së mesazheve për grupmosha të caktuara, pasi shoqëria në kontekstin e memories mbetet tërësisht e shtresëzuar. Ka disa grupmosha sot: është ajo pjesë e shoqërisë që trashëgon këndvështrimin klasor për ngjarjen, sepse i ka përjetuar direkt; ka një pjesë që e njohin të shkuarën por nuk ju intereson shumë dhe pastaj vjen grupmosha  e ndryshimeve të sistemit, që është e interesuar sepse ju ka shënuar jetën e tyre, ju ka ndikuar karrierën, apo ju ka transformuar stilin e jetesës. Kemi më pas, grupmoshën e të rinjve, të cilët nuk e kanë përjetuar, por e kanë pjesë të familjes, ose ju duhet rrëfyer për të kuptuar pse shoqëria jonë ka trajektore të caktuara, për të kuptuar qëndrimin ndaj pronës, ndaj sipërmarrjes, qëndrimin ndaj besimit. E rëndësishme është tashmë të ndërtojmë një dialog që u jep kuptim këtyre qëndrimeve, një dialog që ka mjetet dhe format e duhura për të krijuar komunikim me të gjitha grupmoshat, nga gazetat te televizionet a mediume të tjera. Mbetet sfidë të shkohet me informacion në terren aty ku janë njerëzit.

- Është sfidë e vazhdueshme, edhe me ndryshimin e brezave?

Po, sepse është edhe sfida e krijimit të një kulture të kujtesës, për të cilën akoma mund të them se ka nevojë të zhvillohet. Megjithëse ne kemi mundur të punojmë me mediat, ose me specialistët, shpesh vihet re që ka një sterotipizim, përdorim të gjuhës së urrejtjes. I mëshohet formave të vjetra ekstremizmit, ose mesazheve antagoniste.

Shqipëria është sot një demokraci perëndimore, ka një kuadër kushtetues, parlamenti është shprehur me rezoluta. Ne e kemi këtë kuadër dhe mendoj që akoma ka punë për të ndërtuar një kulturë të mirë të komunikimit publik. Por njëkohësisht është e rëndësishme të kuptohet memoria në thelb dhe ajo është shkencë më vete, është shkencë  multidisiplinore, kërkon metodat e veta shkencore dhe nuk bëhet thjeshtë me dokumente. Përdorimi i dokumentit në mënyrë selektive ose kalimi nga nivel sistemi në nivel individi, nuk është metodë shkencore. Metodat shkencore kanë nevojë për efiçencë, analiza dhe panele ekspertesh të nivelit akademik.

- Mandati i dytë në krye të Autoritetit të Dosjeve. Cilat janë përparësitë tuaja, ku doni të çoni institucionin? A do i afroheni më shumë modelit polak apo do ruani konturet që ka tani AIDSSH?

Sfidat e mandatit të parë kanë mbaruar ndërsa mandati i dytë na gjen ndryshe: me dokumente të mbledhura, në ambiente të reja dhe me staf të trajnuar. Me kolegë dhe ekspertë kemi bërë një plan strategjik 5- vjeçar, ndërsa ndryshimet ligjore na kanë dhënë dhe mandat shtesë, mbi kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e trupave të të zhdukurve gjatë regjimit komunist. Ndryshimet ligjore na e përmirësojnë e lehtësojnë shumë procesin e deklasifikimit të dokumenteve ndaj këtë vit do të bëjmë pesëfishin e deklasifikimeve që kemi bërë deri tani.

Ndryshimi tjetër është lehtësimi i qasjes në dokumente, jo vetëm për studiuesit, ku është lehtësuar ndjeshëm pjesa e anonimizimit sidomos mbi bashkëpunëtorët e aparatit shtypës.

Në pesë vitet e ardhshme, do të përmbushet transparenca për arkivin. Tashmë kemi një software dhe po punojmë me dixhitalizimin e ky proces nuk do të sjellë vetëm kopje dixhitale që dokumenti të mos jetë i cënueshëm nga ana fizike, por lehtëson procesin duke siguruar kërkimet në bazë fjale, gjë që rrit mundësië për të gjetur të dhëna. Nëse dikur ne kërkonim në nivel dosjeje, tashmë shkohet jo në nivel dokumenti, por në nivel fjale. Natyrisht kjo do kohën e vet, me procesin skanimit, regjistrimit të dokumenteve e përpunimit të mëtejshëm dixhital, por është një mjet i mirë në dorën e studiuesve dhe të medias pasi rrit mundësinë e gjetjeve.

Një ndër angazhimet tona do të jetë krijimi i Mediatekës, ku dokumentet administrative të Sigurimit të Shtetit do t’i publikojmë me praktikat më të mira të arkivës ndërkombëtare. Natyrisht në dokumentet të dokumentet e ish-Sigurimit dallojnë dokumenti administrativ nga dokumenti i cili është jozyrtar, pra është një raport bashkëpunëtori për një subjekt, i cili është marrë në mënyrë të fshehtë, pa dijeninë e personit, shpeshherë, ose gjithmonë, ka të dhëna jo vetëm të qëllimshme, sepse burojnë nga motivi për ta implikuar personin, pra motivi politik, por njëkohësisht duke qenë se janë marrë në kushtet e cënimit të privatësisë, ka elementë shumë sensitiv. Dokumentet administrative, do të trajtohen të tilla duke u vendosur në mediatekë në mënyrë kronologjike dhe sektori për kërkesat e qytetarëve do të merret me të. Objektivi i dytë për këtë 5-vjeçar mbetet koordinimi në fushën e kërkimit, gjetjes dhe identifikimit të të zhdukurve.

- Që është edhe pjesa më e vështirë, për shkak edhe të mungesës së dokumentacionit?

Që është pjesa më e vështirë, por që nuk duhet neglizhuar, sepse është një krim i vazhdueshëm. Fshehja e trupit po ashtu. Në thelb mungon dokumentacioni, por në kërkime individuale në disa raste kemi marrë informacion, sepse ka persona që kanë dijeni, siç është toga e pushkatimit.  Me ndryshimet ligjore të dhjetorit, institucioni tashmë ka fuqi të karakterit ‘hetim administrativ’, ku ne, në kushtet e konfidencialitetit pyesim personat që kanë dijeni për ngjarjen dhe në rastet kur nuk japin informacion të saktë, ka penalitete administrative. Do të provojmë këtë kompetencë të re dhe urojmë të avancojmë. Gjithsesi familjarët kanë bërë kërkime të vazhdueshme prej 30 vitesh dhe po sjellin pranë nesh gjetjet e këtyre ‘hetimeve’ në rrugë private. Ne po i administrojmë ato përmes marrjes së dëshmive dhe hetimi administrativ, të dhënat e familjarëve, pyetjet e personave që kanë dijeni dhe dokumentet arkivore ku në disa raste përmes tyre, kemi identifikuar edhe vendin e prehjes. Mendojmë do kemi sukses të paktën për disa vendprehjes, për të cilat do ju kërkojmë institucioneve të fillojnë nga puna. Presim edhe një VKM që është në proces, ku përcaktohet më së miri roli i institucioneve ligjzbatuese si prokuroria, policia, pushteti vendor - sepse janë fusha ku ne nuk mund të zëvendësojmë rolin e tyre. Ne arrijmë të lidhim familjet me teknikat moderne të identifikimit të ADN-së së eshtrave, me institucionet ligjzbatuese që të mundësojmë kërkimin, gjetjen dhe identifikimin. Ndërkaq, do përcaktojmë shpejt një vend ku mund të prehen mbetjet mortore që gjenden dhe më pas do fillojmë egzumim në vende të caktuara, ku kemi indicie se do kemi sukses.

Pika e tretë e përparësive tona lidhet me ndihmën aktive në vendet e kujtesës. Po punojmë për krijimin e burimeve të tjera përveç kërkimit arkivor. Veç dëshmive gojore për kampin e Tepelenës, filluam me kampin e Spaçit dhe do përpiqemi të japim kontributin tonë që parlamenti të vendosë krijimin e dy muzeve kombëtarë. Të gjitha vendet e kujtesës, muzetë kombëtarë dhe lokalë kanë nevojë të rikonceptohen dhe të pasurohen.

- Të rikonceptohen duke riparë edhe periudhën e Luftës së II Botërore?

Muzeumet në Gjermani e rishohin narrativën e tyre çdo 10 vite. Historia bashkëkohore është një dialog, nuk është e shkruar në ‘mur’.  Edhe për periudhën antike, kur ka të dhëna e zbulime të reja, bëhen rishikime, ndaj do të ketë sigurisht edhe për atë bashkëkohore. Është vitale të krijohet ky dialog e rishikim i vazhdueshëm. Nuk bëhet fjalë vetëm për përmendore, por edhe për rikonceptim të narrativës, për depolitizim të tyre, pasurim me fakte të reja. Vetë fakti që këto janë dokumente që nuk janë parë më herët, e krijon nxitjen për t’i përdorur.

- Ndërsa, sa i takon brezit të ri, me çfarë nismash do qaseni ndaj tyre? 

Në fushën e edukimit qytetar, - ku institucioni ka mandat në ligj, - është një vendim që kemi marrë për përqëndrimin tek grupmoshat e reja. Rezulton që edhe mësuesit e historisë janë në kategorinë e atyre që nuk e kanë jetuar periudhën e diktaturës, ndaj edhe ata kanë nevojë për informacione e trajnime. Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, u bë e mundur nisma për platformën “Mësojmë për të shkuarën”, një platformë me burime të hapura arsimore, që do të thotë: arkivë, dokumente arkivore, dëshmi gojore. Platforma do të jetë e hapur, por e filtruar nga ekspertë dhe aty mësuesit e historisë e letërsisë, gjuhës a edukatës, do mund të shqyrtojnë burimet. Historia është kombëtare, por memoria ndodh në familje e ngjarjet e 50 viteve shpesh kanë qasje lokale ndaj do të duhet që të dhënat të jenë afër shkollave me burime të dorës së parë përmes dokumenteve dhe dëshmive audiovizuale.

- Për disa keni qenë zonja e dosjeve, për të tjerë zonja që do të nxjerrë sekretet e diktaturës. Disa janë trembur se do të zhbëni luftën, disa se do të bjerrni lavdinë e heronjve të para e pasluftës. Të jesh në krye të Autoritetit, çfarë është prej këtyre dhe çfarë përtej?

Nxjerrja e këtyre sekreteve rregullohet me ligj. Ligji për sekretin shtetëror përcakton deklasifikimin e tyre çdo 25 vjeçar, maksimumi. Edhe sot, shteti shqiptar e kryen këtë proces, edhe pse tek ne për shumë kohë ka munguar kjo kulturë për shkaqe politike, historike. Por vetëm një vend jodemokratik, fshihet pas sekreteve. Të gjitha abuzimet, shkeljet e të drejtave të njeriut, vendimet politike të ndërmarra - dhe në kushtet e Sigurimit të Shtetit kemi të pasur të bëjmë me polici sekrete politike, - janë munduar t’i fshehin. Një shoqëri demokratike nuk mban sekrete dhe mendoj se shoqëria po e kupton këtë standart. U thye një tabu e rëndësishme, por personalisht mendoj se ishte e vetmja mënyrë për të pasur një kujtesë të plotë. Sa i përket pjesës së luftës, ne nuk kemi agjendë dhe nuk e kemi përfshirë, sepse administrojmë dokumente të kohës 1944-1991, edhe pse për mua është gabim, sepse kujtesa nuk ndahet në periudha. Ai që ka jetuar në komunizëm, ka një të shkuar gjatë, apo para luftës dhe subjektet e dosjeve tona janë elita e para luftës dhe pas luftës. Ndaj është artificiale, por si hap i parë, ishte mirë. Në një të ardhme do ishte e shëndetshme dhe efiçente që Shqipëria të ketë një institucion të kujtesës që përfshin periudhën që nga themelimi i shtetit dhe ta trajtojë kujtesën siç bëjnë vendet si Spanja, Polonia, etj.

Mendoj që përtej ndonjë kompleksi që ka akoma shoqëria, do ishte po ashtu e shëndetshme, që mos të kemi pasaktësi dhe përçarje. Janë angazhime që Europa i ka ndërmarrë, mund t’i bëjmë edhe ne. Ndihem krenare të them që jam pjesë e këtij aksioni emancipues që bëri shoqëria- që është deklasifikimi i dokumenteve dhe besoj shumë te hapja e dosjeve dhe dokumenteve sekrete.

- Shpesh zgjatimet e dosjeve janë përreth nesh, i hasim në jetën e përditshme, në institucionet ku marrim shërbime. A jeni ndjerë nën presion gjatë këtyre viteve?

Natyrisht, e kemi këtë përballje, sepse marrim vendime për verifikimin e figurave, bëjmë vetting për policinë, për pastërti figure, për dhënie medaljesh. Shpeshherë mendon se këto figura janë gjendur nën presion, kanë qenë të indoktrinuar, të painformuar, nën trysni e nën dhunë. Kemi pasur kontakte me ta. Disa janë ndjerë keq dhe janë justifikuar. Por sot kërkohet keqardhje e pendesë. Një zyrtar që ka pasur rol në Sigurimin e Shtetit, nuk duhet ta fshehë, duhet të tregojë dhe të distancohet nga ai akt që është ndërmarrë në kushte të caktuara.

Në fakt, ne kemi kërkuar një ligj që detyron transparencën e çdo zyrtari, siç është në Gjermani e Poloni. Kjo do ishte emancipuese. Transparenca është rruga që na çon përpara, përndryshe, konflikti mbetet i ngrirë dhe i kalon brezit tjetër.

Nuk mund të them se kam ndjerë presion direkt, sepse tashmë të gjithë e dinë se ka një ligj që po zbatohet. Nga ana tjetër, sigurisht ka individë që nuk janë ndjerë mirë dhe kanë preferuar të sulmojnë institucionin. Procese gjyqësore kemi dhe përgjithësisht i kemi fituar, sepse është dokumenti që vërteton dhe jep siguri. Gjithësesi, mesazhi im është: Sot është koha për pendesë e për keqardhje dhe jo dita për ta mohuar. Dokumentet janë aty dhe nuk mund t’i fshihemi së shkuarës. Secili ka mundësi të ankimojë ose të japë këndvështrimin e vet që ne mund ta administrojmë dhe e vëmë brenda në dosje, dhe kushdo që njihet me dosjen mund të njihet edhe me këtë version. E megjithatë, goditja e institucionit dhe mohimi, nuk janë rruga e duhur.

- Si pinjolle e një familje të përndjekur, a është edhe detyrim personal të tejkaloni  pengesat për të shkuar te e vërteta dhe informimi mbi dosjet sa më publike?

Historiku i familjes natyrisht që më bën të ndjehem afër viktimës dhe më bën t’i kuptoj ata e familjet e tyre. Jam afër atyre mijëra familjeve që akoma nuk i kanë gjetur trupat e familjarëve të tyre zhdukur në diktaturë, ose që ju është cënuar emri, apo kur kanë përjetuar një padrejtësi të padokumentuar mirë. Ndihem pranë tyre dhe kam një motivim më të madh.

- Zbardhja e të vërtetës është një anë, tjetra është rehabilitimi i viktimave. Në këtë drejtim, çfarë mund të bëhet?

Gjithë puna që ne bëjmë me dokumentacionin në fund fare ka dy qëllime: një është shqyrtimi i historisë e tjetra, rehabilitimi i viktimave përmes politikave të posaçme, që nuk janë vetëm financiare, por janë morale dhe të vlerave që i duhen shoqërisë, për figura individuale e historike. Ajo që vëmë re ne këtu, është se politikat për të përndjekurit, kanë pasur probleme të efiçencës së zbatimit. Ka shumë qytetarë që nuk e kanë pasur të lehtë dokumentimin e përndjekjes. Marrja e dokumentacionit, ju mundëson të gëzojnë të drejtën e tyre për dëmshpërblim. Gjetja e të zhdukurve, është po ashtu politikë rehabilituese ndërsa janë shqetësuese dënimet e padokumentuara. Ne po punojmë për statusin e të përndjekurve, për ata që kanë qenë fëmijë në internim. Jemi marrë me rastin e Kampit të Tepelenës ku ka pasur të internuar edhe fëmijë deri në 15 vjeç dhe ligji nuk u njeh statusin e të përndjekurit ndërkohë që duhet ta kenë, ashtu siç po bëjmë punë studimore mbi punën e detyruar në Spaç që t’u njihen të dënuarve përfitime për pension. Njohja me problematikën na vë në një pozicion që të mund të bëjmë propozime konkrete në institucionet e duhura.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese