Deputeti demokrat Gazment Bardhi i është përgjigjur menjëherë kërkesës së kreut të SPAK Altin Dumani, për t’i vënë në dispozicion aktakuzën amerikane për çështjen “McGonigal”.
Prokuroria e Posaçme ka nisur verifikimin e çështjes, pas kallëzimit të bërë nga Bardhi. Ky i fundit kërkonte të hetoheshin lidhjet e kryeministrit Edi Rama me ish-drejtorin e FBI për Nju Jorkun. Sipas Bardhit, Rama ka paguar McGonigal amerikan për të sajuar lobimin e PD me para ruse.

Kallëzimi i Gazmend Bardhit është bërë në SPAK më 24 janar, ndërkohë që këtë të martë, kreu i këtij institucioni Altin Dumani i ka përcjellë një kërkesë deputetit demokrat duke i kërkuar që të plotësojë dosjen dhe të dorëzojë dokumentet që ai pretendon se ka.
Në shkresën e firmosur nga Dumani kërkohet të dërgohet akt-padia e Zyrës së Prokurorit të Distriktit të Kolumbias. Kësaj kërkese i është përgjigjur menjëherë deputeti demokrat, i cili siç shihet dhe në foton e mëposhtme, i ka përcjell dokumentin e kërkuar.
