Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Gazetarja rrëfen shfaqjen në TKOB: Mësuesit sollën fëmijët dhe ikën në kafe

Shkruar nga Newsbomb
Gazeatrja Anisa Ymeri ka ndarë në llogarinë e saj një episod nga prova gjenerale e baletit “Arrëthyesi”, një balet ikonik i cili shfaqet në skena të ndryshme të botës, çdo dhjetor. Sipas saj, me qëllimin madhor për të afruar fëmijët dhe të rinjtë me baletin, operan, muzikën klasike, ishte menduar një gjenerale me publik të ri në moshë, ndaj ishin ftuar klasa të ndryshme nga shkolla të ndryshme. "Po çfarë ndodhi?! 99 % të këtyre fëmijëve dhe të rinjve, mësuesit nuk ju kishin shpjeguar asgjë (ata që kisha afër nuk e dinin se ishin në sallë për të parë një shfaqje baleti). Çfarë më bën të mendoj se ishin aty vetëm për të mos qenë në mësim, nxënës e mësues bashkë. Mbase nuk ju kishin thënë se nuk është vend për muhabet, ulërima dhe të zëna ndër disa (po aludoj këtu por më lejohet përderisa kishte vetëm ulërima në sallë). Po edhe nëse s’i kishin sqaruar jashtë, mësuesit (pjesa më e madhe e tyre) nuk ishin në sallë në momentin e shfaqjes, që t’i normonin aty të paktën", shkruan Anisa Ymeri. Më tej, ajo tregon se mësuesit kishin shkuar në kafe dhe i kishin lënë nxënësit të ulërinin e ziheshin në sallën e Teatrit. "Në galeri, aty ku unë isha me 35 fëmijë të Qendrës së Edukimit për Fëmijë (që na bënë krenarë me sjelljen e tyre) ishin edhe të paktën 10 grupe fëmijësh të tjerë (cikli 9-vjeçar). Asnjë mësues pasi nisi shfaqja! As edhe një për be! I lëshuan aty dhe ikën, me gjasë në kafen ngjitur", vijon ajo. "Të dashur mësues, Nëse vendosni t’i sillni fëmijët në mjedise të tilla, po aq sa nxënësit, jeni edhe ju përgjegjës që ajo sallë, të mos kthehet në stallë.  Kafja pret, edukimi nuk pret. Me këtë sjellje tuajën (duke mos dhënë ju shembullin e ndjekjes së shfaqjes), me shumë gjasë, keni ndikuar fort që nxënësi të mos jetë publik potencial. Dhe roli juaj duhet të jetë saktësisht e kundërta e kësaj që një pjesë e juaja keni bërë dje", apelon ajo.

Lexoni shënimin e plotë të gazetares Anisa Ymeri:

Mesditën e 21 Dhjetorit ishte prova gjenerale e baletit “Arrëthyesi”, një balet ikonik i cili shfaqet në skena të ndryshme të botës, çdo dhjetor. Me qëllimin madhor për të afruar fëmijët & të rinjtë me baletin, operan, muzikën klasike, ishte menduar një gjenerale me publik të ri në moshë. Perfekte ideja (mbetet perfekte edhe pas zhurmës së madhe në sallë). Ishin ftuar klasa të ndryshme nga shkolla të ndryshme. Perfekte edhe kjo! Ishin ftuar fëmijë dhe të rinj, një pjesë e të cilëve shkelnin për herë të parë në një teatër. Perfekte edhe kjo! Po çfarë ndodhi?! 99 % të këtyre fëmijëve dhe të rinjve, mësuesit nuk ju kishin shpjeguar asgjë (ata që kisha afër nuk e dinin se ishin në sallë për të parë një shfaqje baleti). Çfarë më bën të mendoj se ishin aty vetëm për të mos qenë në mësim, nxënës e mësues bashkë. Mbase nuk ju kishin thënë se nuk është vend për muhabet, ulërima dhe të zëna ndër disa (po aludoj këtu por më lejohet përderisa kishte vetëm ulërima në sallë). Po edhe nëse s’i kishin sqaruar jashtë, mësuesit (pjesa më e madhe e tyre) nuk ishin në sallë në momentin e shfaqjes, që t’i normonin aty të paktën. Në galeri, aty ku unë isha me 35 fëmijë të Qendrës së Edukimit për Fëmijë (që na bënë krenarë me sjelljen e tyre) ishin edhe të paktën 10 grupe fëmijësh të tjerë (cikli 9-vjeçar). Asnjë mësues pasi nisi shfaqja! As edhe një për be! I lëshuan aty dhe ikën, me gjasë në kafen ngjitur. Merreni me mend se çfarë bënë ata. Mua p.sh, pasi bëra disa herë rolin e mësueses së tyre që kishte ikur (s’ma varën), më nxorrën nga vetja, deri në pikën sa ju thash: Ose do çoheni nga ndenjëset ngjitur me mua, ose do ju nxjerr jashtë me “shqelma”. Ikën duke thënë: Hajde ikim se nuk rrihet afër njerëzve si kjo (dhe kishin të drejtë se i mërzita). Ato po shanin shoqet që s’ishin aty, ndërsa unë doja që fëmijët të kuptonin Arrëthyesin dhe të dëgjonin muzikën e Çajkovskit. Të dashur mësues, Nëse vendosni t’i sillni fëmijët në mjedise të tilla, po aq sa nxënësit, jeni edhe ju përgjegjës që ajo sallë, të mos kthehet në stallë. Kafja pret, edukimi nuk pret. Me këtë sjellje tuajën (duke mos dhënë ju shembullin e ndjekjes së shfaqjes), me shumë gjasë, keni ndikuar fort që nxënësi të mos jetë publik potencial. Dhe roli juaj duhet të jetë saktësisht e kundërta e kësaj që një pjesë e juaja keni bërë dje. Të dashur prindër, Dje, në sallën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, fëmijët tuaj kishin mundësinë të ndiqnin një histori të jashtëzakonshme dhe të shijonin muzikë të vërtetë. Ata e çuan dëm këtë mundësi. Madje më shumë se kaq, penguan edhe shumë fëmijë të tjerë që ishin aty për të shijuar baletin dhe muzikën. Dhe JU, prindërit e atyre fëmijëve që ishin në sallë, jeni PËRGJEGJËSIT KRYESORË të këtij niveli të diskutueshëm të edukatës së këtyre fëmijëve dhe të rinjve / fëmijëve tuaj / fëmijës tënd. Ata fëmijë dje në sallë (pjesa më e madhe e tyre) ishin thjesht të pa edukuar dhe jo të pa mësuar me operan (kjo mësohet pasi të kesh mësuar të respektosh rregullat e mjedisit ku je). Unë reagoj sepse hyj tek ata njerëz që mendoj se nuk mjafton që fëmija im të jetë i edukuar kur do të jetë ngjitur me fëmijën tënd të pa edukuar që do ndikojë në çdo hap të jetës! Merruni me fëmijët se çdo gjë tjetër mund të presë! P.S: Nuk është moral, por shqetësim i thellë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese